Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se opozita do të zhvillojë një protestë kombëtare më 8 maj në Tiranë, një ditë para Ditës së Evropës.
Në një konferencë për mediat, Berisha e cilësoi këtë datë si të rëndësishme dhe tha se qytetarët do të dalin në rrugë dhe sheshe të kryeqytetit në atë që ai e quajti “kryengritja më e fuqishme paqësore” kundër qeverisë.
“8 maji është një ditë e rëndësishme. Shqiptarët do të mblidhen në rrugët dhe sheshet e Tiranës në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur vendi, kundër Edi Rama dhe narko-ministrave”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, protesta synon të shprehë pakënaqësinë e opozitës dhe qytetarëve ndaj qeverisë aktuale, ndërsa ai u bëri thirrje mbështetësve të marrin pjesë masivisht në tubim.
Opozita nuk ka dhënë ende detaje të tjera lidhur me organizimin e protestës, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen publike më shumë informacione për itinerarin dhe formatin e tubimit.



