back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 30 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaBastet online drejt legalizimit/ Malaj: Kanë mbetur vetëm dy akte

Bastet online drejt legalizimit/ Malaj: Kanë mbetur vetëm dy akte

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se procesi për nisjen e aktivitetit ligjor të basteve sportive online është në fazën përfundimtare, ndërsa kanë mbetur vetëm dy akte nënligjore për t’u miratuar.

Gjatë një konference për mediat, kreu i financave bëri të ditur se këto akte po bashkërendohen me Ministria e Drejtësisë dhe, sapo të përfundojë procesi, do të publikohen zyrtarisht, duke i hapur rrugë licencimit të operatorëve.

“Kanë mbetur edhe dy akte nënligjore që ne po i bashkërendojmë dhe dakordësojmë me Ministrinë e Drejtësisë dhe, sapo të përfundojë ky proces, do t’i publikojmë, në mënyrë që të vijohet me licencimin e operatorëve potencialë për të ofruar në mënyrë të ligjshme baste sportive online,” u shpreh Malaj.

Licencimi i operatorëve, hapi i radhës

Sipas ministrit, pas miratimit të akteve përkatëse, institucionet do të kalojnë në fazën e licencimit të subjekteve që do të operojnë në tregun e basteve online, duke formalizuar kështu një sektor që prej vitesh ka qenë i ndaluar në vend.

Paqja fiskale, në pritje të zbatimit

I pyetur nga gazetarët për nismën e paqes fiskale, Malaj konfirmoi se edhe në këtë rast priten aktet nënligjore përkatëse, të cilat sipas tij do të hyjnë në fuqi brenda muajit maj.

Ai theksoi se afatet mund të rishikohen në varësi të ecurisë së miratimit të këtyre akteve.

“Sa i përket akteve nënligjore për fshirjen e detyrimeve doganore dhe tatimore dhe paqes fiskale, ato pritet të hyjnë në fuqi brenda këtij muaji. Në varësi të ecurisë, do të vendosim nëse do të ketë shtyrje të afateve apo jo. Nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyjmë edhe në ligj, pasi afatet janë të përcaktuara,” deklaroi ministri.

Me përfundimin e dy akteve të fundit nënligjore, qeveria synon të hapë zyrtarisht tregun e basteve sportive online, ndërsa paralelisht po vijon puna edhe për zbatimin e skemës së paqes fiskale, që synon formalizimin e ekonomisë dhe lehtësimin e detyrimeve për bizneset dhe individët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat