back to top
19.5 C
Tirana
E enjte, 14 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetReformë në financimin politik/ Raporti i ODIHR: Rrezik nga “donatorët fiktivë”

Reformë në financimin politik/ Raporti i ODIHR: Rrezik nga “donatorët fiktivë”

OSBE/ODIHR ka publikuar Opinionin Urgjent të Ndërmjetëm për projektligjin e ri “Për financimin e partive politike” në Shqipëri, të kërkuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore në fillim të prillit.

Sipas dokumentit, nisma vlerësohet si një hap pozitiv drejt modernizimit të kuadrit ligjor dhe rritjes së transparencës në financimin e jetës politike në vend.

ODIHR thekson se projektligji sjell një strukturë më të detajuar për raportimin e të ardhurave, shpenzimeve dhe burimeve financiare të partive politike. Një nga risitë kryesore është krijimi i Platformës Elektronike të Raportimit, e cila synon publikimin në kohë reale të të dhënave financiare.

Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e rolit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në auditimin dhe monitorimin e financave të partive, si dhe kufizime më të forta për përdorimin e parave cash dhe forcimin e kontrolleve të brendshme e të jashtme.

Një tjetër element i përfshirë në draft është përdorimi i një fondi prej 5% të grantit publik për promovimin e barazisë gjinore dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.

Megjithatë, ODIHR ngre edhe shqetësime, duke paralajmëruar se projektligji nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme ndaj financimeve indirekte dhe të ashtuquajturve “donatorë fiktivë”, që mund të përdoren për të shmangur kufijtë ligjorë të donacioneve.

Ekspertët rekomandojnë më shumë transparencë mbi pronarët realë të kompanive donatore, rregulla të qarta për huatë politike dhe vendosjen e sanksioneve proporcionale për shkeljet financiare.

Sipas raportit, suksesi i reformës do të varet nga forcimi i kapaciteteve dhe kompetencave hetimore të KQZ-së, ndërsa opinioni vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat