Gjatë votimit për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, një anëtar i partisë ka zgjedhur të shkruajë emrin e Mereme Selës në fletën e votimit, pavarësisht se në të ishte i shënuar vetëm emri i kryetarit aktual, Sali Berisha, kandidati i vetëm në garë.
Veprimi është regjistruar si një formë simbolike qëndrimi nga votuesi, ndërsa fleta e votimit është bërë objekt komentesh në rrjetet sociale.
Këtë të shtunë, Partia Demokratike po zhvillon zgjedhjet për kryetarin e saj, ku në garë ndodhet vetëm Sali Berisha. Rreth 51 mijë anëtarë të PD-së janë thirrur për të ushtruar të drejtën e votës në mbi 90 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin.
Numri i anëtarëve me të drejtë vote është më i ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur në proces morën pjesë rreth 75 mijë demokratë. Zgjedhjet e këtij viti zhvillohen pas një periudhe të gjatë përplasjesh dhe ndarjesh të brendshme në Partinë Demokratike.
Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe pritet të përfundojë në mbrëmje, për t’i hapur rrugë më pas numërimit dhe shpalljes së rezultatit zyrtar.




