KreuAktualitetPolitikaPD nis ofensivën ligjore/ "Në shënjestër investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura"

PD nis ofensivën ligjore/ “Në shënjestër investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura”

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka prezantuar një paketë të re nismash ligjore, të cilat sipas opozitës synojnë përmbushjen e disa prej kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.

Në qendër të kësaj pakete, sipas Partisë Demokratike, qëndron kërkesa për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin opozita e konsideron simbol të favorizimeve, mungesës së konkurrencës dhe cenimit të interesit publik.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita prej vitesh ka kërkuar heqjen e këtij ligji, duke akuzuar qeverinë se e ka përdorur atë për të favorizuar interesa të caktuara ekonomike dhe politike.

“Ligji për investimet strategjike është kthyer në simbol të modelit ekonomik të Edi Ramës, një model i bazuar te favorizimi, korrupsioni dhe përdorimi i pushtetit në funksion të interesave private”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, kërkesa për shfuqizimin e ligjit nuk është më vetëm një kauzë opozitare, por tashmë është bërë edhe pjesë e kërkesave të qytetarëve që po protestojnë kundër projekteve të debatueshme të zhvillimit.

Përtej ligjit për investimet strategjike, opozita njoftoi se do të kërkojë edhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve, si dhe ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Sipas Bardhit, këto ndërhyrje ligjore lidhen me shqetësimet për mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe trashëgimisë kombëtare.

“Partia Demokratike votoi kundër ndryshimeve për zonat e mbrojtura sepse e dinim se qëllimi nuk ishte mbrojtja e natyrës, por hapja e rrugës për betonizimin e saj”, deklaroi ai.

Në fund të deklaratës së tij, Bardhi i bëri thirrje mazhorancës të mbështesë këto iniciativa në Parlament, ndërsa i kërkoi kryeministrit Edi Rama të marrë përgjegjësi politike për situatën.

Paketa e propozuar nga opozita pritet të depozitohet në Kuvend, ndërsa debatet mbi investimet strategjike, zhvillimin e zonave të mbrojtura dhe projektet e mëdha turistike vijojnë të mbeten në qendër të diskutimit publik dhe politik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat