KreuAktualitetEkonomia90 mijë m² tokë shtetërore për 1 euro/ Kush është kompania që...

90 mijë m² tokë shtetërore për 1 euro/ Kush është kompania që mori pronën në Gjirin e Lalëzit

Qeveria ka vendosur t’i japë në përdorim për vetëm 1 euro një sipërfaqe prej 90,030 metrash katrorë tokë shtetërore në Durrës, në favor të shoqërisë “Omnix Albania”, për realizimin e një investimi strategjik në turizëm.

Vendimi është miratuar më 11 shtator dhe përfshin tre pasuri shtetërore, me numrat 178/44, 152/43 dhe 182, në zonën kadastrale 1522 të Bashkisë Durrës. Dokumenti përcakton se pronat do të vihen në dispozicion të kompanisë përmes një marrëveshjeje përdorimi me tarifë simbolike 1 euro.

Por pas vendimit që i hap rrugë përdorimit të 9 hektarëve tokë shtetërore, vëmendjen e tërheq edhe vetë kompania që përfiton pronën publike.

Kush është “Omnix Albania”?

Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, “Omnix Albania” është një shoqëri me seli në zonën e Gjirit të Lalëzit. Kompania zotërohet nga katër shoqëri, “Klar” me 50%, “Matrix Konstruksion” me 17.5%, “Blessed Investment” me 17.5% dhe “RDA Petrol” me 15%.

Të dhënat e pronarëve përfitues të publikuara në regjistrin tregtar tregojnë se Shkëlqim Beshiri është pronar përfitues i “Klar”, shoqërisë që kontrollon 50% të “Omnix Albania”. “Matrix Konstruksion” rezulton në pronësi 100% të Arian Leskajt, ndërsa “Blessed Investment” është në pronësi të Besnik Leskajt. “RDA Petrol” zotërohet nga Fation Veizaj.

Çfarë do të ndërtohet?

Projekti strategjik i “Omnix Albania” në Gjirin e Lalëzit parashikon një kompleks turistik me hotel me 5 yje, park ujor, ambiente rezidenciale, bulevard, klub plazhi dhe struktura të tjera turistike.

Sipas dokumentacionit të projektit të raportuar publikisht, investimi është parashikuar në rreth 216 milionë euro, ndërsa kompleksi shtrihet në një sipërfaqe totale prej më shumë se 237 mijë metrash katrorë. Pjesë e projektit janë edhe rreth 81 mijë metra katrorë plazh.

Ndertimi ne Lalez-dokument

Pra, toka që qeveria po vë në dispozicion për 1 euro përbën rreth 90 mijë metra katrorë të projektit, ndërsa pjesa tjetër e sipërfaqes së zhvillimit është në pronësi të kompanisë dhe përfshin edhe zonën e plazhit.

“Omnix Albania” e ka marrë statusin e investitorit strategjik për projektin e resortit turistik në Gjirin e Lalëzit që në vitin 2022, ndërsa tashmë qeveria ka miratuar edhe marrëveshjen që i jep kompanisë përdorimin e pronës shtetërore me tarifën simbolike prej 1 euroje.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat