KreuAktualitetPolitika1 në 2 nxënës nuk di të lexojë/ Ku e sheh suksesin...

1 në 2 nxënës nuk di të lexojë/ Ku e sheh suksesin Kumbaro, në raportin e PISA-s?

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e ka cilësuar rezultatet e PISA 2025 si një sukses për arsimin shqiptar, duke u ndalur te rritja e pikëve krahasuar me vitin 2022 dhe te pozicionimi i Shqipërisë në raport me disa vende të rajonit.

Por dokumenti zyrtar i OECD-së për Shqipërinë përmban disa kufizime të rëndësishme metodologjike, të cilat e bëjnë më të komplikuar paraqitjen e këtyre rezultateve si një sukses të pakushtëzuar. OECD e ka vendosur Shqipërinë në kategorinë e vendeve për të cilat rezultatet duhet të interpretohen me kujdes, pasi nuk janë përmbushur të gjitha standardet e kampionimit.

Kritika e parë lidhet me kampionin e shkollave

Sipas OECD-së, vetëm 76% e shkollave të kampionit morën pjesë në PISA 2025. Por problemi kryesor është edhe më specifik, pasi shkollat me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm për testim nuk u kontaktuan fare për të zhvilluar testimin.

OECD vëren se këto shkolla që mungojnë nga kampioni ka gjasa të jenë të përqendruara në zona rurale dhe në komunitete më të pafavorizuara ekonomikisht, si dhe t’u shërbejnë nxënësve me rezultate historikisht më të ulëta akademike. Për këtë arsye, organizata thotë se mungesa e plotë e këtyre shkollave krijon një boshllëk strukturor në mbulim, i cili nuk mund të korrigjohet plotësisht me metoda statistikore.

Ky është një element që bie në kontrast me argumentin e ministres Kumbaro në Kuvend se pjesëmarrja e nxënësve brenda shkollave të përzgjedhura ishte 97.37%.

Kritika e dytë: OECD nuk raporton trendin e Shqipërisë në mënyrën e zakonshme

Për shkak të këtij boshllëku në kampion, OECD ka kufizuar raportimin për Shqipërinë. Në dokumentin teknik thuhet se rezultatet e vendit janë subjekt i raportimit të kufizuar dhe se nuk bëhet raportimi i trendeve, ndërsa të dhënat nga pyetësorët paraqiten me kufizime.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme përballë deklaratës së ministres se Shqipëria është rritur me 65 pikë në matematikë, 59 në shkencë dhe 50 në lexim krahasuar me vitin 2022. Ministria i ka publikuar këto shifra si tregues të përmirësimit.

Por fakti që OECD nuk raporton trendet e Shqipërisë në mënyrën e zakonshme për shkak të kufizimit të kampionit do të thotë se këto rritje duhet të paraqiten me shumë më tepër kujdes sesa një krahasim i drejtpërdrejtë “2025 kundrejt 2022”.

Kritika e tretë: Shqipëria është ende nën mesataren e OECD-së

Në matematikë, Shqipëria mori 433 pikë, ndërsa mesatarja e OECD-së ishte 463.

Në shkencë mori 435 pikë, kundrejt 482 pikëve të OECD-së.

Në lexim mori 408 pikë, ndërsa mesatarja e OECD-së ishte 461.

Në zgjidhjen kompjuterike të problemeve, Shqipëria mori 437 pikë, kundrejt 500 pikëve të OECD-së.

Pra, edhe nëse Shqipëria renditet përpara disa vendeve të rajonit, kjo nuk do të thotë se sistemi arsimor shqiptar është mbi standardin mesatar të OECD-së.

Kritika e katërt: Gjysma e nxënësve nuk arrin nivelin bazë në lexim

Një tjetër tregues që nuk përputhet lehtë me një panoramë tërësisht pozitive është niveli minimal i kompetencave.

Sipas të dhënave të OECD-së, vetëm rreth 50% e nxënësve shqiptarë arrijnë Nivelin 2 ose më lart në lexim, që konsiderohet niveli bazë i aftësisë së matur nga PISA. Në vendet e OECD-së kjo shifër është 69%. Në matematikë Nivelin 2 e arrijnë rreth 55% e nxënësve, ndërsa në shkencë 61%.

Në anën tjetër, nxënësit që arrijnë nivelet më të larta janë shumë të paktë. OECD raporton se vetëm rreth 2% e nxënësve shqiptarë janë në nivelet 5 ose 6 në matematikë dhe rreth 1% në shkencë, ndërsa në lexim pothuajse asnjë nxënës nuk arrin Nivelin 5 ose më lart.

Deklarata e ministres

Kumbaro ka të drejtë kur thotë se PISA zhvillohet sipas rregullave ndërkombëtare dhe se Ministria nuk mund ta përzgjedhë sipas dëshirës listën e nxënësve që do të testohen.

Por kjo nuk e zhbën vërejtjen e OECD-së për kampionin e Shqipërisë. Problemi i evidentuar nga OECD nuk është se Ministria ka zgjedhur nxënës të caktuar brenda shkollave të testuara, por se shkollat e vogla me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm nuk u përfshinë fare në proces. Këto shkolla, sipas OECD-së, kanë gjasa të jenë më të përqendruara në zona rurale dhe të pafavorizuara.

Prandaj, krahasimi me vendet e rajonit është vetëm një pjesë e historisë së PISA 2025. Pjesa tjetër është se Shqipëria mbetet nën mesataren e OECD-së në të gjitha fushat kryesore dhe se vetë OECD ka vendosur kufizime në mënyrën e raportimit të rezultateve shqiptare.

Kështu, shifrat e PISA 2025 tregojnë njëkohësisht se Shqipëria ka rezultate më të larta se disa vende të rajonit në disa fusha, por edhe se ka probleme serioze me nivelin bazë të kompetencave, me rezultatet e nxënësve më të mirë dhe me përfaqësimin e plotë të sistemit arsimor në kampion.

E Vërteta.al

PISA 2025 fundos arsimin shqiptar/ Gjysma e nxënësve nuk kapin nivelin bazë në lexim

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat