KreuAktualitetEkonomiaSa fitojnë gjyqtarët e prokurorët, krahasuar me ministrat, deputetët dhe drejtuesit e...

Sa fitojnë gjyqtarët e prokurorët, krahasuar me ministrat, deputetët dhe drejtuesit e shtetit

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rikthyer në qendër të debatit, por përtej përplasjes për formulën e re, një tjetër element del nga dokumentet: raporti mes pagës së magjistratëve dhe pagave të funksionarëve të lartë të shtetit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve.

Në vitin 2023, Kuvendi ndryshoi sistemin e referimit të pagës së magjistratëve. Nga një formulë që lidhej me pagën e një pozicioni të lartë në administratë, paga referuese u lidh me pagën e Presidentit të Republikës. Formula u vendos në nivelin 36% të pagës së Presidentit.

Në atë kohë, paga e Presidentit ishte 425 mijë lekë në muaj dhe paga referuese e magjistratëve, sipas formulës së re, ishte 153 mijë lekë. Në shkurt 2026, pas indeksimit me 2.5%, paga e Presidentit arriti në 435 625 lekë, ndërsa paga referuese bazë e magjistratëve në 156 825 lekë.

Por pikërisht këtu nis problemi që ka sjellë përplasjen aktuale.

Nga drejtori i Kryeministrisë te paga e Presidentit

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr. 15 të 17 shkurtit 2026, ka analizuar edhe mënyrën se si ka funksionuar sistemi i vjetër.

Në vitin 2019, kur nisi zbatimi i Ligjit për Statusin e Magjistratëve, paga referuese lidhej me kategorinë e një drejtori të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri. Sipas Gjykatës Kushtetuese, ndryshimet në strukturën e pagave të administratës sollën një problem. Ndërsa pagat e administratës u rritën, referenca mbi të cilën llogaritej paga e magjistratëve nuk ndoqi të njëjtin ritëm.

Çfarë propozon drafti i ri?

Projektligji propozon që koeficienti i pagës referuese të rritet nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit. Me pagën aktuale të Presidentit prej 435 625 lekësh, kjo formulë e çon pagën referuese në rreth 165 538 lekë në muaj.

Në pamje të parë, bëhet fjalë për një rritje të pagës referuese me rreth 8 700 lekë.

Por KLGJ dhe KLP kanë bërë një tjetër përllogaritje. Sipas qëndrimeve të tyre, paga referuese duhet të jetë 222 mijë lekë, plus 14 mijë lekë për kualifikimin, si dhe të trajtohen diferencat e krijuara në periudhën e mëparshme. Diferenca mes dy formulave është rreth 80 mijë lekë në pagën referuese.

Po pagat e administratës së lartë?

Gjykata Kushtetuese ka evidentuar në vendimin e saj se ndryshimet në sistemin e pagave të administratës publike kanë ndikuar në raportin mes pagave të magjistratëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë. Në dokument përmendet se në vitin 2023 paga e Presidentit u rrit nga 257 mijë në 425 mijë lekë, ndërsa sistemi i ri e lidhi pagën e magjistratëve me një përqindje të kësaj page.

Ndërkohë, pagat e drejtuesve politikë dhe funksionarëve të lartë të shtetit kanë pësuar rritje të konsiderueshme. Sipas të dhënave të publikuara për vitin 2026, paga neto e Kryeministrit është rreth 302 mijë lekë, ndërsa ajo e Presidentit rreth 320 mijë lekë.

Pse kjo është bërë çështje kushtetuese?

Në vendimin e shkurtit 2026, Gjykata Kushtetuese ka vënë në dukje se Kushtetuta nuk mbron vetëm një shifër konkrete, por edhe parimin që paga dhe përfitimet e gjyqtarit nuk mund të ulen. Gjykata ka konstatuar se ndryshimi i formulës kishte sjellë një “ulje të fshehur” të pagës në raport me rritjen ekonomike dhe të çmimeve.

Kjo është arsyeja pse formula e re është kthyer në një çështje shumë më të madhe se një rritje page.

Sot përballë njëra-tjetrës janë dy shifra: rreth 165.5 mijë lekë që del nga formula 0.38 e pagës së Presidentit dhe 222 mijë lekë që kanë përllogaritur KLGJ dhe KLP si pagë referuese.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat