Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka reaguar ashpër në lidhje me protestën kombëtare kundër projektit të Zvërnecit, duke e cilësuar atë si një kundërpërgjigje qytetare ndaj mungesës së një opozite të mirëfilltë në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, Açka ka publikuar një fotografi ku shfaqen nënkryetarët e PD-së, mes tyre Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, së bashku me deputetë të tjerë demokratë, teksa kërcejnë nën ritmet e një kënge kushtuar kreut të PD-së, Sali Berisha.
Açka ironizoi strukturën drejtuese të partisë, duke shkruar se kishte aq shumë pretendues për postin e nënkryetarit, saqë sipas saj u krijuan gjashtë vende për të akomoduar të gjithë të interesuarit.
Në reagimin e saj, ish-ligjvënësja ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve aktualë të opozitës, duke pretenduar se në momente kyçe kanë bashkëpunuar me mazhorancën. Ajo rendit një sërë ligjesh dhe reformash të miratuara në Kuvend, përfshirë ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Butrintin, Kodin Zgjedhor, amnistinë penale dhe reformën territoriale, për të cilat, sipas saj, opozita nuk ka ushtruar rezistencën e duhur.
Po ashtu, Açka i akuzon drejtuesit demokratë se kanë penguar numërimin elektronik në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2025 dhe se kanë kontribuar në dobësimin e rolit opozitar në Parlament.
“Nuk kanë më moral për t’i thënë vetes opozitë dhe opozitarë”, shkruan Açka, duke shtuar se veprimet e tyre jo vetëm kanë dëmtuar besueshmërinë e opozitës, por kanë ndikuar negativisht edhe në perceptimin e qytetarëve për figurën e politikanit.
Sipas saj, protesta kombëtare kundër projektit të Zvërnecit dhe zhvillimeve të tjera të ngjashme përbën një test të qartë të pakënaqësisë qytetare ndaj klasës politike dhe veçanërisht ndaj opozitës aktuale.
Në fund të reagimit, Açka ironizon sërish drejtuesit demokratë, duke e shoqëruar fotografinë e publikuar me përshkrimin: “Grupi ‘Gazi dhe shokët e tij’ duke performuar nën ritmet e këngës ‘Ta sollëm vulën Sali Berisha’”.



