KreuAktualitetPolitikaDebat në WhatsApp-in e socialistëve/ Rrjedhja e dokumenteve sjell përplasje mes deputetëve

Debat në WhatsApp-in e socialistëve/ Rrjedhja e dokumenteve sjell përplasje mes deputetëve

Publikimi i një dokumenti të brendshëm, ku pretendohet se kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, udhëzonte strukturat politike për reagimin ndaj protestës kundër projektit të Zvërnecit, ka shkaktuar debate dhe pakënaqësi brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Pas publikimit të materialit në media, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar në komunikimet e brendshme me deputetët, duke kërkuar më shumë kujdes në trajtimin e dokumenteve që qarkullojnë brenda grupit.

Në mesazhin e tij, Balla ka theksuar se materialet e shpërndara për orientimin e komunikimit politik janë të destinuara vetëm për përdorim të brendshëm dhe nuk duhet të bëhen publike.

“Shoqe dhe shokë, materialet që ndahen për narrativën këtu janë për përdorim të brendshëm, jo për t’u ndarë me palë të tjera”, mësohet të ketë shkruar ai në grupin e deputetëve socialistë.

Debati nuk ka mbetur vetëm te çështja e rrjedhjes së informacionit. Në diskutim është përfshirë edhe drejtoresha e komunikimit pranë Kryeministrisë, Jonida Shehu, e cila ka shprehur pakënaqësinë e saj për publikimin e materialeve të shpërndara në grup.

“Unë kam menduar që ju vlejnë këto materiale për linjë, se për media i shpërndaj vetë, s’kam nevojë për këtë lloj shkathtësie. Megjithatë, faleminderit shumë për kontributin”, thuhet në reagimin e saj.

Në debat është përfshirë edhe deputetja socialiste e Vlorës, Zamira Sinaj, e cila ka ngritur shqetësimin se materiali kishte dalë në portale shumë kohë përpara se të shpërndahej zyrtarisht te deputetët.

“Nëpër portale është bërë lajm para se të shpërndahej te grupi, gati tre orë më parë”, ka shkruar Sinaj.

Diskutimi mes deputetes dhe zyrtares së komunikimit ka sjellë edhe një përplasje për mënyrën e komunikimit. Sinaj ka reaguar ndaj përdorimit të shprehjes “moj” në komunikim, duke kërkuar më shumë etikë në raportet mes anëtarëve të grupit parlamentar.

“Ju lutemi drejtohuni me etikë, pasi jemi deputetë të zgjedhur. Moj dhe ore, no comment”, ka shkruar ajo.

Teksa debati po zgjerohej, deputeti i Sarandës, Ardit Bido, ka ndërhyrë duke kërkuar që diskutimet të mos vijonin në grupin e përbashkët.

“Ju lutem diskutimet kalojini në privat. Njoftimet të mbajmë këtu dhe udhëzimet”, është shprehur ai.

Më pas, një apel për mbylljen e debatit ka ardhur edhe nga deputeti Erion Malaj, i cili ka kërkuar kujdes më të madh pas publikimit të diskutimeve të brendshme.

“Mendoj që problemet dolën. I qëndrojmë atyre që më sipër dhe bëjmë pak kujdes”, ka shkruar Malaj.

Debati vjen në një moment kur protesta kundër projektit të Zvërnecit dhe zhvillimeve në zonat bregdetare ka fituar vëmendje të gjerë publike. Publikimi i dokumentit të brendshëm dhe më pas i diskutimeve mes deputetëve ka nxjerrë në pah shqetësimet brenda socialistëve për rrjedhjen e informacionit, por edhe tensionet që kanë shoqëruar menaxhimin politik të kësaj çështjeje.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Partia Socialiste mbi autenticitetin e dokumentit të publikuar apo mbi përmbajtjen e diskutimeve të bëra publike. Megjithatë, komunikimet e zbuluara tregojnë se rrjedhja e materialeve të brendshme është kthyer në një burim pakënaqësie dhe debati mes deputetëve dhe drejtuesve të komunikimit të mazhorancës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat