Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka mbajtur një fjalim në seancën plenare të Kuvendit, ku u ndal te protesta qytetare që prej 11 ditësh po zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar atë si shprehje të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj modelit aktual ekonomik dhe politik në vend.
Duke folur për procedurë, Tabaku tha se ka qenë pjesë e protestës që nga dita e parë dhe se ka dëgjuar nga afër shqetësimet e qytetarëve, të cilët sipas saj po reagojnë ndaj një sistemi që nuk funksionon në interes të shumicës.
“Shqiptarët e kanë kuptuar të vërtetën shumë më herët se politika. Ata e ndjejnë çdo ditë kur paguajnë faturat, kur bëjnë llogaritë në fund të muajit dhe kur përballen me një sistem që nuk funksionon për ta”, deklaroi deputetja demokrate.
Sipas Tabakut, protesta nuk lidhet vetëm me një projekt të caktuar apo me çështjen e Zvërnecit, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj një modeli qeverisës që, sipas saj, ka favorizuar interesa të ngushta në dëm të qytetarëve.
Ajo argumentoi se mosbesimi i publikut ndaj projekteve të mëdha vjen nga mungesa e besimit se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Në këtë kuadër, Tabaku kujtoi kundërshtimin e saj të hershëm ndaj ligjit për Investimet Strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Deputetja e PD-së tha se prej vitesh ka ngritur shqetësime për këto nisma ligjore, si në Kuvend ashtu edhe pranë institucioneve europiane, duke paralajmëruar pasojat që sipas saj po bëhen të dukshme sot.
“Një ligj që lindi si i përkohshëm është kthyer në të përhershëm. Ka prodhuar miliona metra katrorë ndërtime dhe vetëm një investitor të huaj”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, Tabaku kritikoi modelin ekonomik të ndërtuar gjatë viteve të fundit, duke e akuzuar mazhorancën se ka favorizuar klientelizmin, koncesionet dhe partneritetet publike-private në kurriz të konkurrencës së ndershme dhe meritokracisë.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e pabarazive ekonomike, emigracionin dhe tkurrjen e shtresës së mesme, duke theksuar se shumë zona të vendit po përballen me largimin e të rinjve dhe mungesën e perspektivës.
“Pyetja sot nuk është kush ndërton, por për kë ndërtohet Shqipëria. Për familjet shqiptare apo për një grusht kompanish që përfitojnë nga ky sistem?”, deklaroi Tabaku.
Në përfundim të fjalës së saj, deputetja demokrate bëri thirrje për më shumë transparencë, forcimin e rolit të Parlamentit dhe ndërtimin e një modeli zhvillimi që, sipas saj, të jetë në përputhje me standardet europiane.
“Shqipëria meriton të jetë ndryshe. Duhet të ndryshojmë modelin ekonomik, të rikthejmë besimin dhe shpresën tek qytetarët, që politika të jetë sërish instrument ndryshimi dhe jo pjesë e problemit”, përfundoi ajo.



