back to top
22.8 C
Tirana
E enjte, 11 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaPetro Koçi për heqjen e “non gratës”/ "Me sa para u bë...

Petro Koçi për heqjen e “non gratës”/ “Me sa para u bë lobimi për Berishën?”

Deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar pas raportimeve për heqjen e statusit “non grata” nga Shtetet e Bashkuara për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat dhe arsyet që mund të kenë çuar në këtë vendim.

Përmes një reagimi publik, Koçi vuri në dyshim rolin e lobimeve në SHBA dhe pyeti se sa ka kushtuar procesi që sipas tij mund të ketë ndikuar në heqjen e sanksioneve ndaj Berishës.

“Me sa para u krye lobimi i Saliut për t’ia hequr njollën në USA?”, shkruan Koçi, duke shtuar se një vendim i tillë nuk mund të ndryshojë atë që ai e konsideron si perceptim negativ të krijuar ndër vite ndaj liderit demokrat.

Sipas deputetit socialist, zhvillimi i fundit nuk përbën një lajm pozitiv për Partinë Demokratike, pasi, sipas tij, zbeh mundësinë për rinovimin e lidershipit të kësaj force politike.

“Ky akt është një lajm i zi për PD, sepse të paktën në afat të shkurtër eliminohet mundësia shpëtimtare për ta rinovuar lidershipin e kësaj partie gërmadhë”, shprehet Koçi.

Ai argumenton se protestat qytetare të ditëve të fundit kanë krijuar një realitet të ri opozitar, duke e zhvendosur vëmendjen nga Partia Demokratike si forca kryesore përfaqësuese e pakënaqësisë qytetare.

Në reagimin e tij, Koçi sugjeron gjithashtu se heqja e statusit “non grata” mund të jetë në kundërshtim me pritshmëritë e një pjese të demokratëve që shpresonin në ndryshime të brendshme në parti.

“A janë lumturuar në të vërtetë demokratët nga ky lajm? Vetëm një pjesë. Ata që i kanë detyrime personale Sali Berishës. Të tjerët jo. Ata që shohin nga e ardhmja besoj janë dëshpëruar”, shprehet ai.

Në fund të reagimit, deputeti socialist i bën thirrje SPAK që të vijojë punën e tij pa u ndikuar nga zhvillimet politike apo ndërkombëtare, duke kërkuar zbatimin e ligjit në çështjen ku Berisha po përballet me drejtësinë.

“Uroj që SPAK të mos zbythet nga kurajua për të vazhduar zbatimin e ligjit dhe vendosjen e drejtësisë mbi çdo individ si Sali Berisha”, përfundon Koçi në reagimin e tij.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat