KreuAktualitetKronikëBllokuan rrugët e Tiranës gjatë protestës/ 16 persona nën hetim dhe dy...

Bllokuan rrugët e Tiranës gjatë protestës/ 16 persona nën hetim dhe dy në kërkim

Policia e Tiranës ka vënë nën hetim 16 persona, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në bllokimin e rrugëve të kryeqytetit gjatë protestës së zhvilluar në ditët e fundit.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, shtetasit e proceduar dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Policia bën me dije se po punohet gjithashtu për shoqërimin e dy personave të tjerë, të identifikuar me inicialet E. Q. dhe M. C., të cilët janë shpallur në kërkim policor.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se disa prej personave të proceduar kanë nxitur pjesëmarrësit për të vijuar tubimin përtej orarit të njoftuar nga organizatorët, nga ora 18:00 deri në 22:00, duke mos respektuar gjithashtu perimetrin e përcaktuar për zhvillimin e protestës. Si pasojë, sipas policisë, është shkaktuar bllokim i qarkullimit të automjeteve dhe pengesë në lëvizjen e qytetarëve.

Autoritetet bëjnë me dije se një pjesë e protestuesve kanë hyrë edhe në fan zonën e ngritur në sheshin “Skënderbej” për ndjekjen e aktiviteteve sportive, duke prishur qetësinë publike dhe duke u bërë thirrje qytetarëve të pranishëm që t’i bashkoheshin tubimit.

Policia thekson se puna vijon për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, dy ditë më parë, autoritetet nisën procedimin penal edhe për 19 persona të tjerë në lidhje me të njëjtat ngjarje.

Policia e Tiranës u ka bërë thirrje organizatorëve të tubimeve që të respektojnë orarin dhe perimetrin e miratuar, me qëllim shmangien e bllokimit të qarkullimit dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat