Mungesa e deputetes Marjana Koçeku në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme nuk ka penguar që deklarata e saj e fundit, e drejtuar ndaj grupit të Bajrave në Shkodër, të bëhet objekt diskutimi mes deputetëve.
Ishte deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila ngriti shqetësimin mbi sigurinë e qytetarëve, duke theksuar se nëse krimi i organizuar është në gjendje të kërcënojë një deputete, atëherë rreziku për qytetarët e zakonshëm është edhe më i madh.
“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërdrejt integrimin në Bashkimin Europian”, deklaroi Vokshi.
Përgjigjja erdhi nga kryetari i Komisionit të Jashtëm, Igli Hasani, i cili dha edhe reagimin e parë nga radhët e Partisë Socialiste për këtë çështje.
Hasani theksoi se çdo person që ndihet i kërcënuar duhet t’u drejtohet institucioneve ligjzbatuese dhe jo rrjeteve sociale.
“Kushdo që ndihet i kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh Instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet t’i drejtohen Policisë së Shtetit”, u shpreh Hasani.



