Drejtuesi politik i Partisë Socialiste dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka komentuar largimin e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i PS-së, duke theksuar rëndësinë e komunikimit institucional dhe përgjegjësinë që mbart mandati i deputetit.
Në një deklaratë për mediat, Balla tha se deri të premten kishte pasur komunikim me deputeten, por shtoi se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar lidhur me vendimin e saj.
“Unë jam bariu si kreu i grupit parlamentar të PS-së dhe më thonë që unë nuk kam një njoftim që një koleg të më sjellë me shkrim. Deri të premten kam pasur komunikim me kolegen dhe megjithatë secili ka vendimmarrjen e vet”, u shpreh ai.
Balla nënvizoi se deputetët mbajnë mandate përfaqësuese dhe se zgjedhja e tyre është bërë falë mbështetjes së elektoratit socialist.
“Të gjithë ne deputetët e PS-së jemi këtu sepse na kanë votuar votuesit e Partisë Socialiste. Ua them shpesh kolegëve më të rinj të shkojnë ta provojnë pa grushtin dhe trëndafilin se si dalin”, deklaroi Balla.
Ai shmangu një analizë të drejtpërdrejtë për deputeten Koçeku, por vuri në dukje se komunikimet informale nuk mund të zëvendësojnë procedurat zyrtare.
“Një ditë të bukur tha ‘nuk dua të vij më në punë’. Njerëzit duhet të njoftojnë zyrtarisht. Ku ta di unë që nuk ia kanë mbyllur Facebook-un? E kam marrë në telefon, nuk ma ka hapur”, tha Balla.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i grupit parlamentar socialist foli edhe për rastet e kërcënimeve ndaj zyrtarëve dhe deputetëve, duke theksuar se kërcënimi dhe moskallëzimi i krimit janë vepra penale. Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Shkodrës të nisë hetimet për çdo pretendim të tillë.



