Prokuroria e Posaçme ka kërkuar marrjen në pyetje të dhjetëra dëshmitarëve në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, të cilët akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Burime bëjnë me dije se në listën e dëshmitarëve të propozuar nga SPAK përfshihen Jozef Hajse, Ervis Mataj, Ardian Shatku, Pirro Xhixho, Ema Çoku, Esmeralda Shkjau, Kastriot Ismailaj, Vojsava Ismailaj, Milena Harito, Përparim Spahiu, Sokol Hysenaj, Majlind Lazimi, Agron Çela, Luan Rama, Endrit Brahimllari, Petrit Vasili, Spartak Braho, Ilir Kulla, Fatos Mahmutaj, Theodhori Çami, Nasip Naço, Vangjel Tavo, Lindita Troka, Baton Haxhiu, Erjol Brahimllari, Damian Gjiknuri dhe Ralf Gjoni, mes të tjerëve.
Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim lidhur me kërkesën e organit të akuzës për thirrjen e këtyre dëshmitarëve.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po përballen me akuzat që lidhen me çështjen CEZ-DIA dhe kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas SPAK, ata dyshohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Në të njëjtin proces janë të pandehur edhe Fatima Kryemadhi dhe Ema Çoku, të akuzuara për pastrim parash, si dhe Pirro Xhixho, i cili akuzohet për korrupsion.
Nga ana e tij, ish-Presidenti Ilir Meta ka mohuar akuzat, duke deklaruar se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht.



