KreuAktualitetPolitikaRama për rezolutën e PE: Amendamenti për “fitoren” e Zvërnecit u rrëzua

Rama për rezolutën e PE: Amendamenti për “fitoren” e Zvërnecit u rrëzua

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në platformën “X” lidhur me protestat për Zvërnecin dhe rezolutën e miratuar një ditë më parë nga Parlamenti Europian, duke kundërshtuar pretendimet se dokumenti përbën një fitore të aktivistëve dhe kundërshtarëve të projektit.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ironizoi ata që, sipas tij, po e paraqesin rezolutën si një sukses të protestave.

“Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë”, shkroi Rama.

Sipas tij, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën kanë qenë prioritete të qeverisë, duke shtuar se “flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protestat”.

Kryeministri theksoi se amendamenti që është konsideruar si “fitore” nga kundërshtarët e projektit është rrëzuar, ndërsa amendamenti i miratuar, sipas tij, nuk lidhet me zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë dhe Zvërnecin, por me zonën e mbrojtur Nartë-Vjosë.

“Amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, por shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë-Vjosë, ku qeveria ndan të njëjtin qëndrim me europarlamentarët”, u shpreh Rama.

Sa i përket ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, kryeministri bëri të ditur se eurodeputetët do të informohen se çështja është pjesë e agjendës së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ai sqaroi se ligji do t’i nënshtrohet një procesi analitik me Komisionin Europian, për të identifikuar çdo element që nuk përputhet me standardet dhe kriteret e BE-së.

Në fund të reagimit, Rama përdori tone ironike ndaj kritikëve të qeverisë dhe personazheve publikë që kanë mbështetur protestat, duke i cilësuar ata si pjesë e një “revolucioni imagjinar”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat