Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar për herë të parë se në emër të tij janë kryer lobime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sqaruar se ato janë zhvilluar gjatë administratës së presidentit Donald Trump dhe jo gjatë administratës së Joe Biden.
Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha u pyet lidhur me festën e organizuar nga Ambasada e SHBA-së me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë amerikane, si dhe për mundësinë e rishikimit të vendimit që i ndalon udhëtimin në SHBA.
I pyetur nëse ka pasur negociata apo marrëveshje me autoritetet amerikane, Berisha mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Nuk kam zhvilluar në mënyrë kategorike asnjë lloj negociate me asnjë person. Ka një kod: po shkove në gjykatë, shko në gjykatë. Nuk jam ai që bën një veprim dhe bën një tjetër”, deklaroi ai.
Megjithatë, kreu i demokratëve pranoi se janë kryer procedura lobimi në favor të tij.
“A kanë lobuar për Sali Berishën? Po, kanë lobuar, pa diskutim. Procedura është lobim. Nuk kam lobuar me administratën Biden. Nuk ka procedurë tjetër përveç lobimit”, tha Berisha.
Ai sqaroi se lobimet janë financuar nga një fondacion që, sipas tij, mbështet Partinë Demokratike dhe ka marrë përsipër mbrojtjen e kauzës së saj politike.
“Fondacioni që ndihmon PD-në ka marrë përsipër të mbrojë kauzën e Partisë Demokratike”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri deklaroi gjithashtu se i vetmi sanksion ndaj tij ka qenë ndalimi i pajisjes me vizë amerikane, ndërsa pretendoi se përpjekjet për masa të tjera ndaj tij dhe familjarëve nuk kanë gjetur mbështetje.
Në lidhje me ftesën për aktivitetin e organizuar nga Ambasada e SHBA-së, Berisha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.



