back to top
22.8 C
Tirana
E enjte, 25 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaIsh-deputetja e PS akuza Ramës/ "Je në krizë legjitimiteti, dëgjo zërin e...

Ish-deputetja e PS akuza Ramës/ “Je në krizë legjitimiteti, dëgjo zërin e sheshit”

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, e cila së fundmi u largua nga kampi socialist për t’iu bashkuar protestave qytetare, i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon të dëgjojë zërin e protestuesve dhe të japë dorëheqjen.

Në një mesazh të gjatë dhe me tone të forta politike, Koçeku shprehet se protesta që po zhvillohet prej 24 ditësh përfaqëson revoltën e dhjetëra mijëra qytetarëve të zhgënjyer nga klasa politike dhe nga mënyra se si është ushtruar pushteti në Shqipëri.

Sipas saj, qeveria ka shmangur përballjen me kërkesat e qytetarëve dhe, në vend të dialogut, ka zgjedhur të denigrojë dhe të nënvlerësojë protestuesit që po ushtrojnë një të drejtë kushtetuese.

“Populli ju ka kërkuar një sërë pikash, ndërsa ju keni shmangur llogaridhënien që ju takon si drejtues i shtetit dhe po përpiqeni t’i fyeni e t’i ulni shpirtërisht ata që protestojnë”, shkruan Koçeku.

Në letër, ish-deputetja ndalet te përvoja e saj personale në politikë, duke treguar se hyrja në Partinë Socialiste ishte një vendim që kërkoi guxim, por se largimi prej saj kërkoi edhe më shumë kurajë.

Ajo shprehet se nuk e gjeti veten në sistemin politik që, sipas saj, është ngritur mbi frikën, servilizmin dhe largimin nga interesat reale të qytetarëve.

Koçeku argumenton se brezi i ri nuk është më i gatshëm të pranojë nënshtrimin dhe presionin politik, duke theksuar se të rinjtë kërkojnë liri, dinjitet dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.

“Brezi i ri, të cilit i përkas, nuk intimidohet si brezi i prindërve tanë. Ky brez është pa komplekse dhe kërkon të manifestojë energjinë dhe lirinë e vet pa u bërë mashë e pushtetit”, shprehet ajo.

Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet protestës, të cilën Koçeku e konsideron si një lëvizje qytetare që po rikthen ndjenjën e përkatësisë dhe përgjegjësisë ndaj vendit.

Sipas saj, shqiptarët po refuzojnë të jenë spektatorë të zhvillimeve politike dhe po kërkojnë të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes për të ardhmen e vendit.

Ajo kritikon gjithashtu modelin e zhvillimit të ndjekur nga qeveria, duke thënë se ndërtimet dhe projektet e mëdha nuk kanë sjellë domosdoshmërisht mirëqenie për qytetarët dhe se shpesh janë realizuar pa konsultim me komunitetet lokale.

Në letër përmenden edhe kauza të ndryshme qytetare, si ato të Rrjollit dhe Zvërnecit, të cilat sipas saj janë shpërfillur nga pushteti, duke krijuar një grumbull pakënaqësish që tashmë kanë shpërthyer në protestë.

Koçeku shprehet se një pjesë e elitës politike nuk beson më te kryeministri, por sipas saj mungon ende guximi për ta shprehur publikisht këtë qëndrim.

“Si deputete e kam parë nga afër dhe jam e bindur se edhe një pjesë e madhe e elitës politike nuk ka më besim te ju, por guximi për t’u rrëfyer dhe për të vepruar mund të kërkojë ende pak kohë”, shkruan ajo.

Në fund të letrës, ish-deputetja socialiste i bën thirrje të drejtpërdrejtë Edi Ramës që të largohet nga pushteti, duke e cilësuar dorëheqjen si aktin e fundit politik që mund t’i rikthejë dinjitetin dhe legjitimitetin.

“Unë do t’ju uroja më pak pushtet dhe më shumë fisnikëri. Kjo arrihet vetëm nëse kryeni aktin tuaj të fundit politik: atë të dorëheqjes”, shprehet Koçeku.

Ajo përfundon mesazhin duke deklaruar se nuk ka frikë të ecë e vetme në rrugën që ka zgjedhur dhe se vendimi për t’u larguar nga Partia Socialiste është i pakthyeshëm.

“Nuk kam frikë të eci vetëm. Unë jam dhe do të mbetem Marjana e maleve, e tash e kam kaluar gardhin, pa kthim”, mbyllet letra e saj drejtuar kryeministrit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat