Ministria e Arsimit ka publikuar kalendarin zyrtar të vitit shkollor 2026-2027, duke përcaktuar datën e nisjes së mësimit, përfundimin e vitit shkollor, periudhat e pushimeve dhe zhvillimin e provimeve kombëtare.
Sipas kalendarit të miratuar, viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator 2026, kur nxënësit do t’u rikthehen bankave të shkollës pas pushimeve verore.
Për nxënësit maturantë, procesi mësimor do të përfundojë më 4 qershor 2027, për t’i hapur rrugë përgatitjeve dhe zhvillimit të Provimit të Maturës Shtetërore.
Ndërkohë, për nxënësit e tjerë, viti shkollor do të mbyllet zyrtarisht më 18 qershor 2027.
Ministria e Arsimit bën të ditur se kalendari përfshin të gjitha fazat e organizimit të procesit mësimor gjatë vitit, periudhat e pushimeve shkollore, si dhe afatet për zhvillimin e provimeve kombëtare.
Dokumenti synon të orientojë institucionet arsimore, nxënësit dhe prindërit për organizimin e vitit të ardhshëm shkollor.



