Liderët e NATO-s kanë miratuar Deklaratën Përfundimtare të Samitit të Ankarasë, duke riafirmuar angazhimin e Aleancës për mbrojtjen kolektive, rritjen e investimeve në mbrojtje dhe mbështetjen afatgjatë për Ukrainën. Megjithatë, dokumenti nuk përmend Shqipërinë si vendin pritës të samitit të ardhshëm të NATO-s.
Në deklaratën e miratuar të mërkurën, aleatët theksojnë se mbeten të bashkuar përballë kërcënimeve ndaj sigurisë euroatlantike dhe konfirmojnë angazhimin për zbatimin e objektivave të reja të mbrojtjes.
Dokumenti bën të ditur se vendet evropiane të NATO-s dhe Kanadaja kanë rritur gjatë vitit 2025 investimet në mbrojtje me mbi 139 miliardë dollarë. Gjithashtu, në Samitin e Ankarasë u njoftuan më shumë se 50 miliardë dollarë kontrata të reja për prokurime ushtarake dhe zgjerimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.
Aleatët riafirmojnë gjithashtu mbështetjen për Ukrainën, duke u zotuar të ofrojnë 70 miliardë euro ndihmë ushtarake, pajisje dhe trajnim gjatë vitit 2026, si dhe të ruajnë të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe për vitin 2027.
Në deklaratë përfshihet edhe një mesazh për Iranin, ku theksohet se Teherani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore dhe i kërkohet të respektojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Ndryshe nga samitet e mëparshme, dokumenti nuk përcakton vendin ku do të zhvillohet takimi i ardhshëm i NATO-s. Deklarata mbyllet vetëm me fjalinë: “Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të Turqisë. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm.”
Në tekst nuk ka asnjë referencë për Shqipërinë, megjithëse në Deklaratën e Hagës ishte parashikuar që Tirana të ishte vendi pritës i samitit pas Turqisë.
Mungesa e këtij referimi vjen në një kohë kur brenda Aleancës po diskutohen mundësitë për rikthimin e organizimit të samiteve çdo dy vjet.
Megjithatë, më herët, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, deklaroi për Bloomberg se Shqipëria mbetet vendi i planifikuar për samitin e ardhshëm, por ende nuk është vendosur nëse ai do të zhvillohet në vitin 2027 apo do të shtyhet për një vit më vonë.



