Lekut vijon t’i forcohet pozita ndaj euros, duke reflektuar ndikimin e sezonit turistik dhe rritjen e ofertës së valutës në treg. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 93.78 lekë, duke u zhvlerësuar me 0.11 lekë në raport me ditën e mëparshme.
Ky është niveli më i ulët historik i regjistruar për monedhën e përbashkët europiane në tregun shqiptar.
Krahasuar me fillimin e vitit, euro ka humbur rreth 3.04% të vlerës së saj, ose afërsisht 3 lekë. Ndërsa për periudhën 3 janar – 8 korrik, një euro është këmbyer mesatarisht me 95.7 lekë, nga 97.8 lekë që ishte mesatarja e vitit 2025.
Rënia e euros shihet edhe në një perspektivë më afatgjatë. Krahasuar me vitin 2015, kur një euro këmbehej mesatarisht me 139.7 lekë, monedha europiane është zhvlerësuar me rreth 31.5%, ose afërsisht 44 lekë.
Ekspertë dhe aktorë të tregut e lidhin forcimin e lekut me disa faktorë, ndër të cilët flukset e larta valutore në ekonomi, rritja e investimeve në sektorin e ndërtimit dhe veçanërisht rritja e të ardhurave nga turizmi.
Pas vitit 2022, turizmi ka pasur një ndikim të rëndësishëm në tregun valutor. Vetëm gjatë vitit 2025, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kaluan shifrën e 12 milionë, duke sjellë një rritje të ndjeshme të valutës në vend.
Rënia e ditëve të fundit lidhet kryesisht me efektet sezonale të verës, kur flukset e turistëve shtojnë ofertën për euro në treg.
Megjithatë, forcimi i lekut ka sjellë pasoja të ndryshme për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Eksportuesit janë ndër më të prekurit, pasi të ardhurat e tyre në euro kthehen në më pak lekë. Efektet negative janë ndjerë edhe në turizëm, ku një pjesë e të ardhurave sigurohet në valutë, si dhe te emigrantët që dërgojnë remitanca në Shqipëri.
Në anën tjetër, një lek më i fortë ka favorizuar importuesit, të cilët shpenzojnë më pak lekë për blerjen e mallrave në valutë. Përfitime ka edhe buxheti i shtetit, që paguan më pak për shërbimin e borxhit të jashtëm, si dhe qytetarët që udhëtojnë jashtë vendit.



