back to top
26.6 C
Tirana
E enjte, 9 Korrik, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaPikëpyetjet marrin fund/ Rutte shuan zërat për samitin e NATO-s

Pikëpyetjet marrin fund/ Rutte shuan zërat për samitin e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar nga Ankara se Shqipëria do të jetë vendi pritës i samitit të ardhshëm të Aleancës.

Gjatë një deklarate për mediat në kuadër të punimeve të Samitit të NATO-s në Ankara, Rutte bëri të ditur se vendimi për zhvillimin e samitit në Shqipëri është marrë që në Samitin e Hagës, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar vetëm data e zhvillimit.

“Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri, ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën”, deklaroi Rutte.

Konfirmimi i kreut të NATO-s heq pikëpyetjet e ngritura më herët lidhur me mundësinë e ndryshimit të vendit pritës. Mëngjesin e sotëm, agjencia amerikane Bloomberg raportoi se organizimi i samitit në Shqipëri mbetej i pasigurt, por deklarata e Rutte e konfirmoi vendimin.

Mbajtja e samitit të NATO-s në Shqipëri do të jetë një ngjarje historike për vendin, i cili është anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut që prej vitit 2009. Kjo do të jetë hera e parë që Shqipëria do të presë një takim të nivelit më të lartë të NATO-s.

Gjatë prononcimit të tij, Rutte vlerësoi rezultatet e samitit të Ankarasë, duke theksuar unitetin e vendeve anëtare dhe angazhimin për forcimin e mbrojtjes kolektive.

Ai nënvizoi se Aleanca do të vijojë të rrisë investimet në siguri dhe mbrojtje, duke përmendur një paketë prej 70 miliardë eurosh për kapacitete të reja, infrastrukturë, teknologji dhe inovacion.

“Ky samit ka treguar se Aleanca është më e fortë se kurrë, e bashkuar dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Ne riafirmojmë përkushtimin ndaj mbrojtjes kolektive. Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve dhe ne do të qëndrojmë të gjithë së bashku”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat