KreuDrejtësiaNga apartamenti 86 m² te prona 393 mijë euro/ Çfarë deklaron Olsian...

Nga apartamenti 86 m² te prona 393 mijë euro/ Çfarë deklaron Olsian Çela në fund të mandatit?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Prokurori i Përgjithshëm ka deklaruar një apartament të ri me vlerë 373 mijë euro dhe një garazh 20 mijë euro. Në të njëjtën deklaratë figuron edhe një detyrim prej 183 mijë eurosh. Apartamenti i mëparshëm, i deklaruar me vlerë 82 mijë euro, rezulton i shitur në vitin 2024.

-Në vitin kur mori detyrën si Prokuror i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaronte kursime në bankë, një depozitë prej 7,500 eurosh, para cash dhe një apartament, blerja e të cilit ishte paguar plotësisht gjatë vitit 2018. Rreth gjashtë vite më vonë, deklarata e tij për vitin 2025 pasqyron një apartament të ri me vlerë 373 mijë euro, një garazh 20 mijë euro dhe një detyrim financiar prej 183 mijë eurosh.

Çfarë deklaronte në vitin 2019

Në deklaratën për vitin 2019, të dorëzuar më 29 maj 2020, Çela pasqyronte 662,333 lekë në llogarinë rrjedhëse të pagës, një depozitë prej 7,500 eurosh të hapur në dhjetor 2019 dhe 200 mijë lekë cash. Përveç këtyre, deklarata shënonte një apartament për të cilin kontrata e shitblerjes ishte lidhur më 21 janar 2019, mbi bazën e një kontrate premtim-shitjeje të vitit 2018. Pagesa ishte kryer plotësisht gjatë vitit 2018, ndërsa për vlerën dhe burimin e saj deklarata i referohej dokumentit të vitit pararendës.

2019 Pasuria

Në të njëjtën deklaratë, Çela pasqyronte të ardhura neto prej 2,698,255 lekësh nga paga dhe shpërblimet për punën si prokuror, si dhe 131,914 lekë nga aktiviteti si ekspert trajnues në Shkollën e Magjistraturës.

Një element tjetër i rëndësishëm eshte huaja prej 1.7 milionë lekësh, e marrë në vitin 2011 nga dy persona. Në fund të vitit 2019, sipas deklarimit, e gjithë shuma vijonte të ishte e pashlyer.

Olsian Cela PV 2020

Apartamenti u shit për 110 mijë euro

Në deklaratën për vitin 2021, apartamenti me sipërfaqe 86.65 m² pasqyrohej me vlerë 82 mijë euro. Çela deklaronte gjithashtu dy prona bujqësore të përfituara me trashëgimi, me pjesë takuese 33.333% për secilën dhe vlerë të deklaruar zero lekë.

Në fund të vitit 2021, llogaria bankare kishte një gjendje prej 1,021,387.39 lekësh, ndërsa depozita bankare arrinte në 18,502.79 euro. Në deklaratë figuronin edhe 300 mijë lekë cash.

Olsian Çela PVSD 2021 (1)

Ndryshimi i rëndësishëm në pasurinë e paluajtshme shfaqet në deklaratën për vitin 2024. Apartamenti 86.65 m² rezulton i shitur më 29 gusht 2024, me një vlerë të deklaruar prej 110 mijë eurosh në rubrikën e ndryshimit të pasurisë. Kjo shifër është më e lartë se vlera prej 82 mijë eurosh e pasqyruar në deklaratën e vitit 2021.

Olsian Çela PV 2024

Apartament 373 mijë euro dhe garazh 20 mijë euro

Në deklaratën e fundit, për vitin 2025, Çela ka pasqyruar një apartament me sipërfaqe 176.14 m², me vlerë 373 mijë euro, si dhe një garazh me sipërfaqe 13.75 m², me vlerë 20 mijë euro. Për të dyja pronat deklarohet kontratë sipërmarrjeje e datës 19 dhjetor 2025. Dokumenti saktëson se nuk ishte aplikuar për regjistrimin e tyre.

Olsian Çela PV 2025

Vlera e këtyre dy pasurive të deklaruara është 393 mijë euro. Kjo është vlera bruto e pronave të pasqyruara në deklaratë, jo një llogaritje e pasurisë neto të Çelës.

Në të njëjtin dokument, depozita bankare prej 212,013.86 eurosh rezulton e mbyllur më 19 dhjetor 2025. Çela deklaron gjithashtu një llogari bankare me gjendje 3,442.82 euro në fund të vitit dhe një llogari tjetër me 1,935,342.62 lekë. Në deklaratë figuron edhe pakësimi me 50 mijë lekë i shumës së mbajtur cash.

Krahas këtyre pasurive, në deklarimin për vitin 2025 shënohet një detyrim ndaj të tretëve prej 183 mijë eurosh, i nisur më 19 dhjetor 2025, me afat përfundimtar më 30 nëntor 2026. Në fund të vitit deklarohet se e gjithë shuma vijonte e pashlyer.

Të ardhurat nga paga gjatë mandatit

Deklaratat pasqyrojnë edhe luhatje në të ardhurat neto nga paga si Prokuror i Përgjithshëm. Në vitin 2019, Çela deklaronte 2.69 milionë lekë nga paga dhe shpërblimet, në vitin 2021, 2.71 milionë lekë, në vitin 2022, rreth 2.81 milionë lekë, në vitin 2023, rreth 4.06 milionë lekë, në vitin 2024, 5.32 milionë lekë, ndërsa për vitin 2025, rreth 3.61 milionë lekë.

Olsian Çela PV 2022

Përveç pagës, deklaratat përfshijnë edhe të ardhura nga aktiviteti në Shkollën e Magjistraturës, funksione këshillimi apo interesa bankare, në varësi të vitit.

Olsian Çela PV 2023

Krahasimi nga viti 2019 deri në deklaratën e fundit tregon një ndryshim të dukshëm në llojin dhe vlerën e pasurive të paluajtshme të deklaruara nga Olsian Çela. Në fillim të periudhës, deklarata pasqyronte një apartament të blerë më herët, kursime në bankë dhe një hua të pashlyer prej 1.7 milionë lekësh. Në fund të vitit 2025, apartamenti i vjetër ishte shitur, ndërsa në deklaratë figuronin një apartament i ri dhe një garazh me vlerë të kombinuar 393 mijë euro, si dhe një detyrim i pashlyer prej 183 mijë eurosh.

E Vërteta.al (E.S)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat