Kryeministri Edi Rama ka pranuar për herë të parë se protesta e “flamingove” në bulevard ishte një reflektim i një pakënaqësie që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qytetarët përballen me shtetin dhe administratën publike.
Gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama prezantoi dokumentin e quajtur “Besa”, të cilin e cilësoi si një pikë kthese për mandatin e katërt të qeverisë. Por përtej mesazheve politike, kryeministri u ndal te kritikat ndaj administratës, duke pranuar se një pjesë e zemërimit qytetar lidhet me mënyrën se si institucionet komunikojnë dhe trajtojnë njerëzit.
Sipas Ramës, problemi nuk është mungesa e rezultateve të qeverisë, por hendeku mes asaj që qeveria pretendon se ka bërë dhe mënyrës se si këto rezultate përjetohen nga qytetarët.
“Ne jo vetëm nuk kemi të drejtë të ankohemi, por duhet të pranojmë edhe atë që dhemb më shumë: faktet tona shpesh nuk dëgjohen edhe sepse përjetohen si arrogancë. Jo se janë të rreme, as vetëm sepse vijnë pa shpjegim, por sepse edhe kur jepen, jepen pa empati”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se pikërisht ky hendek ka sjellë daljen e njerëzve në bulevard, duke theksuar se qytetarët nuk protestojnë sepse janë kundër qeverisë, por sepse presin më shumë prej saj.
“Shkaku i hendekut ishim ne dhe zemra e protestës ishin njerëzit e zakonshëm. Prandaj përgjigjja për ta duhet të jetë e jona”, u shpreh Rama.
Kritikat ndaj administratës
Për të ilustruar problemin, Rama solli rastin e një fermeri nga Lushnja, të cilin e quajti Arbër, pasi sipas tij nuk kishte marrë leje për t’i bërë publik emrin.
Sipas kryeministrit, fermeri kishte 12 hektarë me kajsi dhe kishte një marrëveshje me një kompani italiane për një investim në Vlorë, por kishte pritur për tre vite një përgjigje nga administrata pa marrë as një “po” dhe as një “jo”.
Rama tha se ky rast ishte një shembull i mënyrës se si zyrtarët i trajtojnë qytetarët dhe e cilësoi sjelljen e disa prej tyre si arrogante.
“Aty pashë arrogancën e zyrtarëve pa gjak që u flasin sikur të kenë prapanicen në vend të fytyrës dhe fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Dhe këtu nuk po flas fare për ata që kërkojnë edhe lek”, deklaroi Rama.
Sipas tij, problemi nuk është vetëm burokracia, por edhe mungesa e përgjegjësisë dhe e komunikimit me qytetarët.
Ai tha se një qytetar që pret tre vite për një përgjigje nuk mund të bindet lehtë nga shpjegimet e vonuara të institucioneve, pasi për të ato perceptohen si arrogancë.
Kush mban përgjegjësi për dështimet?
Në fjalën e tij, Rama e zhvendosi përgjegjësinë kryesisht te administrata dhe mënyra e funksionimit të saj, duke kritikuar zyrtarët që nuk u japin zgjidhje qytetarëve.
Kryeministri pranoi se qeveria duhet të ndryshojë mënyrën e komunikimit dhe të krijojë një marrëdhënie tjetër me qytetarët, por nuk dha përgjegjësi konkrete politike për drejtimin e institucioneve që varen nga ekzekutivi.
Në këtë mënyrë, Rama e shpjegoi krizën e besimit si një problem të sjelljes së administratës, duke e ndarë nga politikat e qeverisë dhe rezultatet e saj.
Dokumenti “Besa”, sipas tij, synon pikërisht të ndryshojë këtë raport, që qytetarët të mos ndihen të shpërfillur dhe të mos humbasin besimin te shteti.
“Dua ta dëgjojnë të gjithë Arbrit e atij bulevardi se nuk janë sorra, por flamingo që na kujtojnë të drejtën që kanë për të na kërkuar llogari. Ata janë revolta e brendshme, paqësore e qytetarëve”, tha Rama.
Rama: Mandati i katërt kërkon kthesë
Kryeministri e cilësoi fitoren me 83 mandate në zgjedhjet e fundit si njëkohësisht një bekim dhe një sfidë.
Sipas tij, një shumicë e tillë parlamentare i jep qeverisë fuqinë për transformime, por rrit edhe pritshmëritë e qytetarëve.
“Fitoret e mëdha e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërive”, deklaroi Rama.
Me dokumentin “Besa”, kryeministri kërkon të vendosë një standard të ri komunikimi dhe përgjegjësie për administratën gjatë mandatit të katërt, duke e paraqitur protestën si një sinjal që qeveria duhet ta dëgjojë.
Megjithatë, mbetet e hapur pyetja nëse kjo kthesë do të shoqërohet me ndryshime konkrete në administratë apo do të mbetet vetëm një riformulim politik i përgjegjësive për problemet e krijuara gjatë viteve të qeverisjes.



