KreuAktualitetBotaPër herë të parë në histori/ Gjykata Ndërkombëtare Penale shkarkon kryeprokurorin e...

Për herë të parë në histori/ Gjykata Ndërkombëtare Penale shkarkon kryeprokurorin e saj

Shtetet anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) kanë votuar për shkarkimin nga detyra të kryeprokurorit Karim Khan, duke shënuar herën e parë në historinë e institucionit që një kryeprokuror largohet nga posti.

Sipas diplomatëve të cituar nga Associated Press, 125 shtetet anëtare të gjykatës votuan me shumicë dërrmuese për shkarkimin e Khan pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.

Karim Khan ishte pezulluar përkohësisht nga detyra në muajin qershor, ndërsa po zhvilloheshin hetimet lidhur me akuzat ndaj tij. Një raport i brendshëm i mbikëqyrjes së pavarur arriti në përfundimin se ai kishte kryer “shkelje të rëndë të detyrës”, një vlerësim që ish-kryeprokurori e ka kundërshtuar me forcë.

Sipas dokumenteve të hetimit, Khan dyshohet se kishte një marrëdhënie seksuale me gruan që ngriti ankesën ndaj tij dhe se kishte tentuar ta bindte atë të mos e ndiqte më çështjen. Ai ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura.

Shkarkimi i tij vjen në një moment kur Gjykata Ndërkombëtare Penale po përballet me presione të konsiderueshme nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Karim Khan dhe një grupi punonjësish të tjerë të gjykatës, në reagim ndaj urdhër-arresteve të lëshuara për zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, lidhur me luftën në Gaza, si dhe hetimeve të mëparshme të GJNP-së për personelin amerikan në Afganistan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi së fundmi se Uashingtoni ka nisur një “fushatë gjithëpërfshirëse” kundër asaj që e konsideron si kërcënim të GJNP-së ndaj sovranitetit të Shteteve të Bashkuara. Ai paralajmëroi se SHBA do të ushtrojë presion ndaj vendeve anëtare për t’u tërhequr nga gjykata, do të vendosë sanksione ndaj organizatave që bashkëpunojnë me të dhe do t’u ndalojë hyrjen në SHBA punonjësve të saj.

Megjithatë, largimi i Karim Khan nga detyra nuk ndikon në urdhër-arrestet që Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar deri më tani. Vendimet për vlefshmërinë e tyre mbeten ekskluzivisht në kompetencën e gjyqtarëve të GJNP-së.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat