KreuAktualitetEkonomiaLigji për Investimet Strategjike/ Tabaku: Është kthyer në një mekanizëm për shpërndarjen...

Ligji për Investimet Strategjike/ Tabaku: Është kthyer në një mekanizëm për shpërndarjen e aseteve publike

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer në vëmendje historikun e Ligjit për Investimet Strategjike, duke kritikuar mënyrën se si ai është zbatuar dhe zgjatur ndër vite. Në rubrikën “Këndi i Fundjavës”, ajo deklaroi se ligji, i miratuar në vitin 2015 si një instrument i përkohshëm për të tërhequr investime të huaja, është shndërruar në një mekanizëm që favorizon shpërndarjen e aseteve publike pa konkurrencë të hapur.

Sipas Tabakut, ligji është ndryshuar nëntë herë që prej miratimit të tij, ndërsa gjashtë prej ndryshimeve kanë pasur si qëllim vetëm shtyrjen e afatit të zbatimit.

“Pa iu tharë ende boja ligjit, qeveria solli kërkesën e parë për shtyrjen e afatit në vitin 2018. Nëntë herë është ndryshuar ligji, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin”, u shpreh ajo.

Deputetja demokrate rikujtoi se që në vitin 2015 kishte propozuar amendamente për mbrojtjen e pronës private dhe për të shmangur ndërhyrjen e shtetit në marrëdhëniet mes pronarëve privatë. Sipas saj, propozimet synonin të pengonin marrjen e pronës së qytetarëve me çmime reference për t’ua kaluar më pas subjekteve private për zhvillimin e investimeve strategjike, por ato u rrëzuan nga mazhoranca socialiste.

Tabaku solli në vëmendje edhe nismën e saj të vitit 2022 për ndërprerjen e efekteve të Ligjit për Investimet Strategjike. Ajo tha se propozimi u kundërshtua nga përfaqësuesit e qeverisë me argumentin se ligji kishte dhënë rezultate pozitive dhe se po punohej për hartimin e një kuadri të ri ligjor dhe të përhershëm për investimet.

Megjithatë, sipas saj, ligji i ri nuk u miratua asnjëherë, ndërsa afati i ligjit ekzistues u shty sërish, deri më 31 dhjetor 2026, pak para zgjedhjeve të vitit 2025.

Deputetja e PD-së kritikoi gjithashtu ndryshimet ligjore që lidhen me portet turistike, duke argumentuar se ato u japin investitorëve strategjikë mundësinë të ndërtojnë dhe operojnë porte pa iu nënshtruar procedurave të zakonshme konkurruese.

Si shembull, ajo përmendi projektin “Durrës Marina”, të cilin e cilësoi si një rast ku mungon konkurrenca dhe ku asetet publike janë vënë në dispozicion të subjekteve të përzgjedhura nga qeveria.

Tabaku shprehu skepticizëm ndaj deklaratave për shfuqizimin e ligjit, duke theksuar se një qeveri që e ka mbajtur atë në fuqi për më shumë se një dekadë nuk mund të konsiderohet e besueshme kur premton ndryshimin e tij.

“Sa mund t’u besohet atyre që e kanë ngritur këtë sistem se do ta zhbëjnë atë? Sa mund t’u besohet atyre që plot gjashtë herë e kanë ndryshuar ligjin vetëm për t’i shtyrë afatin dhe asnjëherë për të përmirësuar konkurrencën, meritokracinë apo garën në ekonomi?”, deklaroi Tabaku.

Në përfundim, deputetja demokrate e cilësoi Ligjin për Investimet Strategjike si një nga shembujt më të qartë të ligjeve të hartuara për interesa të caktuara, duke akuzuar Parlamentin se ka vepruar si “noter i qeverisë”.

“Këtë sistem nuk mund ta zhbëjnë ata që e krijuan, e konceptuan, e votuan dhe e zbatuan. Këtë sistem do ta ndryshojë shoqëria shqiptare. Shfuqizimi i këtij ligji është heqja e njërës prej tullave mbi të cilat është ngritur sistemi i favoreve”, përfundoi Tabaku.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat