Ish-zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti, ka theksuar rëndësinë e vijimit të angazhimit shtetëror ndaj diasporës shqiptare, duke deklaruar se puna me komunitetet jashtë vendit duhet të mbetet një prioritet kombëtar.
Në reagimin e saj pas përfundimit të detyrës, Premti u shpreh se shërbimi në administratën publike nuk përcaktohet nga funksioni apo titulli i mbajtur, por nga përgjegjësia dhe gatishmëria për t’u shërbyer qytetarëve me integritet dhe përkushtim.
Ajo nënvizoi se lidhja me diasporën, ruajtja e gjuhës shqipe dhe forcimi i identitetit kombëtar te brezat e rinj që jetojnë jashtë vendit janë çështje që kërkojnë vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm institucional.
“Shërbimi publik nuk përcaktohet nga një funksion apo titull, por nga gatishmëria për të qenë pranë njerëzve dhe për t’u shërbyer atyre me përkushtim, integritet dhe empati”, u shpreh Premti.
Në këtë kuadër, ajo solli në vëmendje edhe takimin e fundit me mësues dhe përfaqësues të diasporës, ku u diskutua për institucionalizimin e Kuizit të Diturisë për fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Sipas Premtit, përfshirja e diasporës dhe mbështetja e brezave të rinj shqiptarë jashtë atdheut duhet të vijojnë të jenë pjesë e prioriteteve kombëtare, pavarësisht ndryshimeve në funksionet drejtuese.
Mesazhi i plotë i Vilma Premtit:
Edhe pse e dija se ishin ditët e fundit si zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, pranova dhe zhvillova me kënaqësi e dedikim, takimin me mësues e përfaqësues të diasporës për të diskutuar mbi institucionalizimin e Kuizit të Diturisë për fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Nuk mund të kishte një temë më domethënëse për ta përmbyllur këtë rrugëtim sesa një bisedë për gjuhën shqipe, identitetin tonë kombëtar dhe brezat e rinj që rriten larg atdheut, por që vazhdojnë ta mbajnë atë pranë zemrës.
Gjatë gjithë karrierës sime në administratën publike kam besuar se detyra jonë është, para së gjithash, të dëgjojmë. Të dëgjojmë qytetarët, komunitetet, profesionistët, mësuesit dhe çdo zë që ka diçka për të kontribuar.
Për këtë arsye, edhe në ditën e fundit të detyrës, e ndjeva të natyrshme të isha aty, të dëgjoja, të diskutoja dhe të ndaja ide për një nismë që i shërben komunitetit tonë me bindjen se puna për diasporën do të vazhdojë të mbetet një prioritet kombëtar.
Largohem nga kjo detyrë me mirënjohje të thellë për besimin që më është dhënë ndër vite dhe me bindjen se shërbimi publik nuk përcaktohet nga një funksion apo titull, por nga gatishmëria për të qenë pranë njerëzve dhe për t’u shërbyer atyre me përkushtim, integritet dhe empati.
Faleminderit të gjithëve që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.



