Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masave disiplinore ndaj deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, si dhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas incidentit të ndodhur në Kuvend me dokumentin konfidencial të marrëveshjes për huanë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, socialistët kërkojnë përjashtimin e Shehajt nga pjesëmarrja në komisionet parlamentare dhe seancat plenare për një periudhë 60-ditore.
Sipas dokumentit të depozituar, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe SHBA-së, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët janë njoftuar se materiali përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pasi të firmosnin deklaratën e konfidencialitetit.
PS pretendon se Agron Shehaj, pasi u paraqit në sallën ku mbahej dokumenti, kërkoi ta merrte me vete kopjen fizike të marrëveshjes, por u kundërshtua nga stafi i Kuvendit. Megjithatë, sipas socialistëve, ai e mori dokumentin dhe u largua nga ambientet ku po ruhej.
Në kërkesë thuhet se një këshilltare e Kuvendit, e cila e ka ndjekur deputetin për të rimarrë dokumentin, është rrëzuar nga shkallët gjatë incidentit dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në shkresën e Partisë Socialiste.
Përveç masës disiplinore, PS kërkon që çështja t’i referohet SPAK-ut për hetim, duke argumentuar se veprimet e deputetit mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me marrjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, përvetësimin e dokumenteve zyrtare, pengimin e ushtrimit të detyrës së funksionarit publik dhe shkeljen e dispozitave ligjore për mbrojtjen e sekretit shtetëror.
Nga ana e tij, Agron Shehaj ka deklaruar më herët se e mori dokumentin për ta lexuar, pasi kishte firmosur deklaratën e konfidencialitetit, dhe se më pas e ka dorëzuar sërish në zyrën ku e kishte marrë, duke theksuar se marrëveshja nuk ka dalë në asnjë moment jashtë Kuvendit.



