Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka komentuar protestën që po zhvillohet prej 58 ditësh në vend, duke shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj mënyrës së organizimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në tubime masive.
I ftuar në podcastin e moderatores Grida Duma, Manjani deklaroi se nuk ka një qëndrim pozitiv ndaj turmave, duke argumentuar se ato shpesh shndërrohen në burim të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës.
“E vërteta është që unë nuk jam politikan, por merrem me politikë dhe kjo nuk do të thotë që je i politizuar. Të merresh me politikë, gjëja më esenciale është të kuptosh vendin dhe njerëzit me të cilët ke të bësh. Ajo që ma ka neveritur është turma. Gjithmonë më lodh. Ka rolin e vet dhe meriton respekt kur e ka qëllimin, por jo kjo turma aktuale. Turmat më bezdisin dhe janë fabrika dhune”, u shpreh Manjani.
Duke folur për protestën aktuale, ish-ministri ironizoi edhe numrin e pjesëmarrësve, duke thënë se sipas tij, edhe në ditën më të mirë, numri i protestuesve ka qenë i krahasueshëm me lëvizjen e qytetarëve në zonat e rekreacionit në Tiranë.
“Imponimi në emër të një gjëje që quhet turmë, ose shprehja ‘ne jemi populli’, duhet parë me kujdes. Populli është një fjalë e madhe. Nëse e marrim si argument sasior, në ditën më të mirë që kanë qenë në bulevard, kanë qenë të krahasueshëm me të njëjtën xhiro që bëhet te kodrat e Liqenit Artificial”, deklaroi ai.
Manjani shtoi se nuk e pranon atë që e cilësoi si “imponim të dhunshëm” në emër të turmës, duke theksuar se respekti për protestat duhet të shoqërohet me vlerësim të qëllimit dhe mënyrës së zhvillimit të tyre.



