Prokuroria e Posaçme ka nisur thirrjen e të pandehurve në kuadër të hetimeve për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Personat nën hetim janë kërkuar të paraqiten pranë SPAK-ut të shoqëruar me avokatët e tyre.
I pari që është paraqitur këtë të mërkurë ka qenë ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli. Ai ka mbërritur në ambientet e SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Skënderaj, si dhe nga një efektiv policie, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se të pandehurve u është kërkuar të paraqiten për kryerjen e veprimeve procedurale, por ende nuk është bërë e qartë nëse gjatë këtyre takimeve do t’u komunikohet zyrtarisht zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, apo nëse bëhet fjalë për veprime të tjera hetimore.
Në kuadër të këtyre veprimeve procedurale është thirrur edhe ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili ndodhet i arrestuar për këtë dosje. Përfshirja e tij në këtë fazë të hetimit ka ngritur dyshime se SPAK mund të ketë regjistruar një procedim tjetër penal, ose se të pandehurve mund t’u komunikohen akuza të reja.
Prokuroria e Posaçme ka mbajtur një qëndrim të rezervuar lidhur me veprimet konkrete që po kryhen, duke mos dhënë detaje mbi përmbajtjen e procedurave të fundit.
Çështja mori një zhvillim të ri pas refuzimit nga Kuvendi të kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e masës së mbrojtjes parlamentare ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kërkesa u rrëzua me votat e mazhorancës.
Pas këtij vendimi, SPAK njoftoi se hetimet ndaj Ballukut do të vijonin dhe se krahas akuzës për shkeljen e barazisë në tendera po hetoheshin edhe elementë të tjerë që lidhen me veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Në kuadër të të njëjtit procedim, SPAK vendosi nën sekuestro edhe një vilë në Dhërmi, e regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ekzistojnë dyshime se kjo pasuri mund të jetë pronë e fshehur që lidhet me Belinda Ballukun.
Hetimet për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe vijojnë, ndërsa SPAK pritet të përcaktojë në vijim nëse do të ketë komunikim të akuzave të reja apo zgjerim të personave nën hetim.



