Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas emërimit të ish-sekretares së PD-së, Jola Hysaj, në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të dobësuar opozitën.
Gjatë konferencës për mediat të mbajtur këtë të premte, Berisha deklaroi se qeveria synon të korruptojë dhe të rrënojë opozitën përmes emërimeve të tilla, ndërsa e cilësoi Hysajn si një person që, sipas tij, është “blerë” nga qeveria.
Sipas Berishës, në një sistem të bazuar te korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, goditja ndaj opozitës mbetet një nga objektivat kryesore të qeverisë. Ai shtoi se, pavarësisht rasteve individuale, Partia Demokratike do të vijojë betejën politike kundër mazhorancës.
Emërimi i Hysajt vjen pak muaj pasi ajo vendosi të largohej nga Partia Demokratike, duke i dhënë fund një angazhimi politik rreth 20-vjeçar në këtë forcë politike. Në mars të këtij viti, ajo e cilësoi largimin si një vendim të vështirë, të marrë pas një reflektimi të gjatë mbi kontributin e saj në politikë.
Në deklaratat e saj publike, Hysaj është shprehur se kishte ardhur momenti për të zgjedhur mes qëndrimit formal në një pozicion politik dhe vijimit të kontributit të saj në funksion të qytetarëve dhe demokratëve.
Pas largimit nga Partia Demokratike, ajo ka qenë kritike ndaj lidershipit të kësaj force politike, duke deklaruar se partia funksionon brenda një grupimi të kufizuar njerëzish dhe se ka humbur hapësirat për debat dhe përfaqësim më të gjerë.



