Projektligji i Partisë Socialiste për Reformën e re Administrativo-Territoriale, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46, ka sjellë reagime të forta në disa qytete që rrezikojnë të humbasin statusin e bashkisë. Kundërshtimet nuk vijnë vetëm nga qytetarët, por edhe nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe kryebashkiakë në detyrë.
Në Selenicë, banorët kanë dalë hapur kundër bashkimit të bashkisë së tyre me Vlorën, duke argumentuar se një vendim i tillë do t’u vështirësojë aksesin në shërbimet administrative dhe do të përshpejtojë braktisjen e zonës. Ata theksojnë se Selenica përfshin 47 fshatra dhe mijëra banorë, ndërsa një prej tyre dorëzoi publikisht kartën e anëtarësisë në Partinë Socialiste, në shenjë proteste ndaj reformës.
Kundër shkrirjes së Bashkisë së Libohovës ka reaguar edhe kryebashkiaku socialist Leonard Hide, i cili u ka bërë thirrje deputetëve të qarkut që të mbrojnë interesat e qytetit në Kuvend. Hide deklaroi se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces apo takim ku nuk mbrohen qartë të drejtat e Libohovës dhe komunitetit të saj, duke theksuar se do të jetë në krah të qytetarëve deri në sqarimin përfundimtar të fatit të bashkisë.
Pakënaqësi ka shprehur edhe Bashkia e Memaliajt. Kryebashkiaku Albert Malaj ka kundërshtuar propozimin për bashkimin e Memaliajt me Tepelenën, duke e cilësuar të padrejtë dhe duke mbështetur thirrjen e banorëve për protestë. Ai ka deklaruar se qyteti ka njohur zhvillim ekonomik ndër vite dhe se qytetarët nuk janë pyetur për ndryshimet që prekin të ardhmen e komunitetit të tyre.
Në Patos, kundërshtimi ka ardhur nga Suela Hoxha, anëtare e Këshillit Bashkiak nga radhët e Partisë Socialiste dhe ish-kryetare e degës së PS-së në këtë bashki. Hoxha është shprehur se humbja e statusit të bashkisë prek historinë, identitetin dhe përfaqësimin e qytetit, duke paralajmëruar se vendimi mund të sjellë më pak investime dhe më pak vëmendje për problemet e komunitetit.
Ndërkohë, kundërshtimet ndaj reformës janë shfaqur edhe në Poliçan, ku reagimet kanë ardhur pas dorëheqjes së kreut të Partisë Socialiste në këtë bashki, Erjon Zylyftari. Edhe qytetarët e Poliçanit kanë paralajmëruar protesta kundër shkrirjes së bashkisë së tyre.
Pakënaqësi janë regjistruar gjithashtu në Prrenjas dhe Klos, ku qytetarët kanë lajmëruar organizimin e protestave për të kundërshtuar ndryshimet e propozuara në hartën e re administrativo-territoriale.
Reforma e propozuar nga mazhoranca po has në kundërshtime të shumta, duke nxjerrë në pah pakënaqësi jo vetëm nga opozita dhe komunitetet lokale, por edhe nga përfaqësues të vetë Partisë Socialiste, të cilët kërkojnë që zëri i qytetarëve të dëgjohet përpara miratimit të ndryshimeve në Kuvend.



