Autoritetet britanike po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së një hetimi publik lidhur me aktivitetet e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein në Mbretërinë e Bashkuar. Lajmi është konfirmuar për BBC nga ministri Alex Davies-Jones, i cili tha se qeveria po vlerëson opsionet e mundshme.
Sipas tij, përpara se të merret një vendim, do të zhvillohen takime me viktimat e Epstein për të dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre.
“Po e shqyrtojmë këtë çështje dhe po vlerësojmë se çfarë është e mundur”, deklaroi Davies-Jones për BBC Newsnight.
Ndërkohë, policia britanike vijon hetimet për një sërë akuzash që lidhen me Epstein, duke përfshirë dyshime për abuzim seksual ndaj të miturve, trafikim të grave përmes aeroporteve të Mbretërisë së Bashkuar, si edhe shkelje të mundshme nga zyrtarë publikë.
Ministri shtoi se një hetim i mundshëm publik mund të zgjerohet edhe mbi pretendimet ndaj miliarderit të ndjerë Mohamed Al-Fayed, i cili është akuzuar nga qindra gra për përdhunim dhe sulme seksuale.
Skandali Epstein vazhdon të ketë jehonë të madhe edhe vite pas vdekjes së tij, ndërsa autoritetet britanike po përballen me presion në rritje për të zbardhur çdo lidhje dhe përgjegjësi të mundshme në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.



