KreuAktualitetPolitikaPS ndryshon hartën e Shqipërisë, 15 bashki drejt shkrirjes/ Nis përplasja me...

PS ndryshon hartën e Shqipërisë, 15 bashki drejt shkrirjes/ Nis përplasja me pushtetin vendor

Propozimi i Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ka hyrë në fazën e konsultimit me pushtetin vendor.

Dokumenti zyrtar tashmë është dërguar te kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë që preken nga ndryshimet e propozuara, të cilëve u kërkohet të paraqesin qëndrimet e tyre të argumentuara për bashkimin ose shkrirjen e njësive vendore.

Sipas procedurës ligjore, bashkitë kanë 60 ditë kohë për të kthyer përgjigjet e tyre, pas konsultimeve jo vetëm me institucionet vendore, por edhe me qytetarët e zonave që preken nga reforma.

Në fund të këtij procesi, secila bashki duhet të dorëzojë në Kuvend një dokument me argumentet dhe propozimet e saj, i cili do të shqyrtohet përpara se harta e re territoriale të rikthehet për diskutim dhe votim në Parlament.

Skema e propozuar nga socialistët parashikon një ndryshim të modelit aktual, nga ndarja “bashki–njësi administrative” në një organizim të ri “bashki–qytet–njësi administrative”. Sipas PS-së, ky model synon të ruajë identitetin e zonave urbane dhe në të njëjtën kohë të garantojë ofrimin e shërbimeve në qendrat ekzistuese administrative.

Sipas draftit, tre bashki nuk preken nga ndryshimet: Kukësi, Durrësi dhe Lezha. Ndërkohë, Tirana është bashkia e vetme që zgjerohet territorialisht, përmes përfshirjes së zonës së Rinasit në administrimin e kryeqytetit.

Në nivel qarku, një nga ndryshimet e propozuara është bashkimi i Rrogozhinës me Bashkinë e Kavajës. Ndërsa qarqet e Elbasanit dhe Gjirokastrës janë ndër zonat ku parashikohen ndryshimet më të mëdha, me shkrirjen e disa bashkive ekzistuese.

Maxhoranca socialiste e argumenton reformën me nevojën për krijimin e bashkive më të fuqishme financiarisht dhe administrativisht, të cilat, sipas saj, do të jenë më të përgatitura për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Pas përfundimit të konsultimeve me pushtetin vendor dhe qytetarët, harta e re territoriale pritet të kalojë për miratim në Kuvend në fillim të muajit tetor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat