Gazetari Berat Buzhala ka reaguar pas vendimit të autoriteteve shqiptare për t’i ndaluar hyrjen në Shqipëri imamit nga Maqedonia e Veriut, Bekir Halimi, i shpallur “non grata” për shkak të veprimtarisë së konsideruar si të papajtueshme me interesat e Republikës së Shqipërisë.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Buzhala komentoi disa deklarata të Halimit gjatë një predikimi, ku imami flet për mënyrën e veshjes së grave dhe rolin e burrave në vendosjen e “kufijve” brenda familjes.
Sipas gazetarit, një qasje e tillë bie ndesh me vlerat shoqërore dhe orientimin europian të shqiptarëve. Buzhala deklaroi se kjo mendësi duhet të refuzohet jo vetëm nga institucionet, por edhe nga shoqëria.
“Një mendësi e tillë duhet të jetë ‘non grata’ për të gjithë ne, jo vetëm për Shqipërinë, por për kulturën shqiptare, kulturën europiane dhe vizionin e shqiptarëve për integrim euroatlantik”, u shpreh ai.
Buzhala tha se deklarata të tilla mund të cenojnë parimin e barazisë mes burrave dhe grave, duke pretenduar se disa thirrje të Halimit bien ndesh me të drejtat dhe liritë e garantuara me ligj.
Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi pjesëmarrjen e Halimit në protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke kërkuar sqarime mbi arsyet dhe rrethanat që e kanë çuar atë të angazhohet në zhvillimet politike në vend.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi vendimin për ndalimin e hyrjes së Halimit në territorin e Shqipërisë.



