KreuAktualitetPolitikaNga 21 mijë në 45 mijë punonjës/ Haxhimali kritikon reformën territoriale të...

Nga 21 mijë në 45 mijë punonjës/ Haxhimali kritikon reformën territoriale të 2015

Propozimi i mazhorancës socialiste për reformën e re territoriale ka sjellë reagime dhe protesta në disa bashki që parashikohen të preken nga shkrirja. Drafti i PS-së parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 45, duke riformatuar hartën aktuale administrative të vendit.

Ndërsa kryetarë bashkish dhe qytetarë në disa zona kanë dalë kundër ndryshimeve të propozuara, eksperti i qeverisjes vendore Agron Haxhimali i konsideron këto reagime të vonuara.

Në një intervistë për “TemA”, Haxhimali argumenton se gjatë fazës së konsultimeve publike, kur komisioni parlamentar për reformën territoriale zhvilloi takime në bashkitë e vendit, nuk pati kundërshtime të forta ndaj propozimit të ri.

Sipas tij, në shumicën e rasteve as drejtuesit vendorë dhe as qytetarët nuk shprehën publikisht rezerva të rëndësishme, me disa përjashtime të kufizuara. Për këtë arsye, ai vlerëson se reagimet e tanishme krijojnë përshtypjen e një qëndrimi të vonuar nga përfaqësuesit vendorë.

Haxhimali ka ngritur pikëpyetje edhe mbi argumentin e mazhorancës se një numër më i vogël bashkish do të sjellë më shumë eficiencë dhe ulje të kostove administrative. Ai kujton se të njëjtat objektiva u përdorën edhe gjatë reformës territoriale të vitit 2015, por sipas tij rezultatet nuk e mbështetën këtë pritshmëri.

Sipas të dhënave të referuara prej tij, para reformës së vitit 2015 administrata vendore kishte rreth 21 mijë e 500 punonjës, ndërsa në fund të vitit 2025 numri i tyre ishte rritur në rreth 45 mijë e 500. Haxhimali thekson se kjo ka ndodhur në një kohë kur popullsia e vendit është ulur me rreth 400 mijë banorë krahasuar me një dekadë më parë.

Edhe për kostot financiare, eksperti shprehet se nuk ka prova që reforma e mëparshme ka sjellë kursimet e parashikuara. Sipas tij, shpenzimet e pushtetit vendor nga rreth 2.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2015 kanë arritur në rreth 3.5% të PBB-së në fund të vitit 2025.

Ai kujton se një nga parimet kryesore të reformës së kaluar ishte ekonomia e shkallës, pra ideja se bashki më të mëdha do të menaxhonin më mirë fondet dhe shërbimet publike. Megjithatë, sipas tij, ky objektiv nuk u arrit në masën e pritshme.

Debati për reformën e re territoriale vijon, ndërsa sipas Haxhimalit diskutimi më i rëndësishëm duhej të zhvillohej gjatë fazës së konsultimeve publike dhe jo në prag të vendimmarrjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat