Biznesmeni Rrok Gjoka është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka qëndruar për rreth tre orë.
Pas daljes nga godina e SPAK, Gjoka nuk ka dhënë deklarata për mediat, ndërsa deri tani nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me arsyen e thirrjes së tij apo çështjen për të cilën është pyetur.
Emri i biznesmenit është përmendur më herët në lidhje me procedurën e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një nga kontratat publike më të diskutuara vitet e fundit, për të cilën është marrë e pandehur edhe ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Kompania “Gjoka sh.p.k.” ishte shpallur fillimisht fituese e procedurës, por tenderi u anulua më pas. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, kontrata iu dha një konsorciumi turk me një ofertë rreth 50 milionë euro më të lartë se ajo e kompanisë shqiptare.
Megjithatë, pavarësisht humbjes së kontratës, kompania e Gjokës ka marrë pjesë në realizimin e punimeve në terren si nënkontraktore.
Procedura e tenderit për tunelin e Llogarasë është nën hetim nga SPAK, ndërsa prokuroria ka ngritur dyshime për parregullsi në procesin e prokurimit dhe favorizim të kompanisë fituese. Çështja vijon të jetë në proces hetimi.



