Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj vendimit për shpalljen “non grata” në Shqipëri të gazetarit nga Maqedonia e Veriut, Valjon Bela.
Gjatë një konference për mediat nga selia e PD-së, Berisha e dënoi vendimin, duke e cilësuar si një goditje ndaj fjalës së lirë dhe të drejtës për të shprehur mendime kritike.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëndron pas këtij vendimi dhe pretendoi se shpallja e Belës “non grata” është bërë nën ndikimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Këto akuza nuk janë shoqëruar me prova të bëra publike nga kreu i PD-së.
Sipas Berishës, Valjon Bela është një gazetar dhe ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili ka mbajtur qëndrime kritike ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama.
“Shpallja e një gazetari non grata për shkak të qëndrimeve të tij përbën një atentat ndaj fjalës së lirë dhe mendimit të lirë”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu organizatat e gazetarëve për mungesën e një reagimi, duke pretenduar se heshtja e tyre tregon varësi ndaj pushtetit.
Deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë bërë publike detaje të plota mbi arsyet zyrtare të vendimit për ndalimin e hyrjes së Valjon Belës në territorin e Shqipërisë.



