Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u shoqërua me tensione dhe incidentin ku Albin Kurti u qëllua me vezë, kryeministri në detyrë ka reaguar para mediave.
Kurti tha se nuk dëshiron që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, duke u bërë thirrje partive politike që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një marrëveshje.
Sipas tij, përsëritja e zgjedhjeve nuk do të sillte një rezultat të ndryshëm dhe do të ishte një kosto e panevojshme për shtetin dhe qytetarët.
“Kryesuesi e ka thirrur vazhdimin e seancës dhe unë jam përgjigjur. Edhe kur të na thërrasë prapë, unë do të përgjigjem”, tha Kurti.
Ai u ndal edhe te çështja e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se Vetëvendosje nuk po këmbëngul që Glauk Konjufca të jetë kandidat për këtë post.
“Së pari, unë nuk kam kërkuar që të votojmë një president tonin. Ne nuk insistojmë që Konjufca të jetë president. Përkundrazi, ai e ka tërhequr kandidaturën e vet për t’i dhënë shans një tjetër kandidati nga populli”, u shpreh ai.
Kurti kërkoi që partitë të gjejnë një figurë gjithëpërfshirëse për president dhe tha se është i gatshëm për takime dhe negociata.
“Ne po themi që të gjejmë dikë gjithëpërfshirës për president. Unë jam i gatshëm dhe i interesuar për takime dhe bashkëbisedime që sjellin marrëveshje një orë e më parë. Ne nuk kemi ndërmjetës në komunikim”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Ai paralajmëroi se vendi duhet të shmangë një tjetër krizë politike pas disa muajsh, kur të rikthehet çështja e zgjedhjes së presidentit.
“Kemi nevojë për takime, për marrëveshje, në mënyrë që kur të vijmë sërish këtu pas pak muajsh, të mos vijmë në një seancë për zgjedhjen e presidentit, ku dy kolonat e deputetëve të tjerë janë të zbrazura”, tha Kurti.
Në fund, ai përsëriti thirrjen për marrëveshje politike, duke argumentuar se një tjetër proces zgjedhor nuk do të ishte në interes të vendit.
“Duhet të evitojmë zgjedhje të reja. Unë po kërkoj marrëveshje politike për një president pas dy muajsh. Pas 60 ditësh e kemi presidentin, çfarë të bëjmë? Dihet tani, me metodën e njëjtë nuk mund të presim rezultate të tjera”, u shpreh Kurti.
Ai u bëri thirrje partive që të takohen dhe të gjejnë një zgjidhje.
“I bëj thirrje partive të takohemi dhe të merremi vesh, sepse nuk ia vlen, as për buxhetin, as për shtetin dhe as për popullin, përsëritja e zgjedhjeve. Çfarë kuptimi ka të përsërisim zgjedhjet kur programi dhe njerëzit janë të njëjtë? Kemi kohë, por duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”, përfundoi Kurti.



