Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar reformën territoriale dhe propozimin e ri për reduktimin e numrit të bashkive, duke e cilësuar këtë politikë si një nga faktorët që ka ndikuar në shpopullimin e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu mbështetjen për banorët që kanë dalë në protestë kundër ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale.
Sipas tij, reforma e vitit 2014, e cila uli numrin e njësive të qeverisjes vendore nga rreth 400 bashki e komuna në 61 bashki, dëmtoi decentralizimin dhe solli pasoja për komunitetet në të gjithë vendin.
“Edi Rama nuk ka më legjitimitet dhe qeveria e tij, siç faktoi me hartën elektorale, me hartën e ndarjes së pushtetit lokal. Këto vite faktuan për shqiptarët se ndarja territoriale e vitit 2014 që shkurtoi, pakësoi nga rreth 400 njësi të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, në 61 njësi, ishte goditja më e fuqishme që iu bë parimit demokratik të decentralizimit”, deklaroi Berisha.
Ai e lidhi reformën territoriale edhe me largimin e banorëve nga zonat rurale dhe qytetet e vogla, duke akuzuar qeverinë se ka krijuar mungesë shërbimesh dhe ka dobësuar funksionimin e pushtetit vendor.
“Por ishte gjithashtu platforma më e egër për shpopullimin e Shqipërisë dhe largimin, dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, për mungesë shërbimesh, për bojkot total të tyre”, tha kreu i PD-së.
Berisha kritikoi veçanërisht propozimin për reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive. Sipas tij, qeveria, në vend që të korrigjojë problemet e reformës së vitit 2014, po propozon shkrirjen e 15 bashkive të tjera, duke e çuar numrin e tyre në 46.
“Por, i pangopur në politikën e përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij, të centralizimit të plotë, duke tejkaluar në disa aspekte dhe Enver Hoxhën, i pangopur në zbatimin e shqiptarëve, gjenocidin e butë ndaj shqiptarëve, ai ndërmori hapin tjetër”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se propozimi i ri ka sjellë reagime nga banorët e zonave që rrezikojnë të humbasin bashkitë e tyre, duke e konsideruar protestën e tyre si të drejtë.
“Ku në vend që të korrigjonte gabimet katastrofale të reformës së parë, vazhdoi me shkurtimin e 15 bashkive të tjera duke ulur numrin në 46 bashki. Kjo ka sjellë një reagim të fuqishëm të banorëve të bashkive të shkurtuara, por dhe një reagim të fuqishëm të banorëve të cilët humbën pushtetin vendor në mënyrën më të pajustifikueshme në vitin 2014”, tha kreu i Partisë Demokratike.
Berisha e cilësoi reformën territoriale si një çështje që prek drejtpërdrejt përfaqësimin vendor dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët, duke mbështetur kundërshtimin e banorëve ndaj hartës së re të propozuar.



