KreuAktualitetKronikëKontrolle me radarë inteligjentë në rrugë/ Policia paralajmëron shoferët

Kontrolle me radarë inteligjentë në rrugë/ Policia paralajmëron shoferët

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore, me fokus te shkeljet që rrezikojnë sigurinë e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka inspektuar nga terreni masat që po ndërmerr Policia Rrugore për parandalimin e aksidenteve, veçanërisht përmes përdorimit të mjeteve inteligjente.

Gjatë inspektimit në aksin interurban kryesor “Rrogozhinë-Durrës”, Hita u njoh nga afër me mënyrën se si po monitorohet qarkullimi dhe evidentohen shkeljet e rregullave të qarkullimit.

Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, shpjegoi se mjetet inteligjente përdoren për të evidentuar automatikisht drejtuesit që tejkalojnë normat e lejuara të shpejtësisë.

“Jemi dislokuar në aksin rrugor, në rrugën interurbane kryesore ‘Rrogozhinë-Durrës’. Është një mjet inteligjent që e mat shpejtësinë në mënyrë automatike. Kemi edhe të tjera në të gjithë territorin e vendit, të ngjashme, që janë të dislokuara në akset kryesore të vendit, në Rrugën e Kombit, por edhe në akset e tjera kryesore rrugore, që evidentojnë çdo mjet që tejkalon normat e shpejtësisë”, u shpreh Vatoci.

Sipas tij, përdorimi i këtyre pajisjeve duhet të jetë pjesë e punës së përditshme të Policisë Rrugore, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

“Është e nevojshme që, në vazhdimësi, ne të operojmë me këto mjete inteligjente në dinamikën e përditshme të punës”, shtoi Vatoci.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi intensifikimin e masave dhe më shumë kontrolle në terren, duke iu drejtuar edhe përdoruesve të rrugës me një apel për respektimin e rregullave.

Hita theksoi se respektimi i rregullave të qarkullimit nuk duhet parë vetëm si detyrim ligjor, por si një mënyrë për të parandaluar humbjen e jetëve.

“Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, ishte mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat