Drejtoresha e Open Procurement Albania, Aranita Brahaj, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohen prokurimet publike në bashki gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Brahaj sjell në vëmendje të dhënat e tenderave vendorë, ku Bashkia e Tiranës kryeson bindshëm për vlerën e fondit limit të shpallur.
Sipas të dhënave, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit Tirana ka shpallur 6.32 miliardë lekë fond limit, ose 25.3% të totalit të fondeve të shpallura nga 61 bashkitë e vendit.
Pas Tiranës renditet Kamza me 2.37 miliardë lekë, ndërsa në vendin e tretë është Vlora me rreth 2.35 miliardë lekë.
Në total, pesë bashkitë me fondin limit më të lartë, Tirana, Kamza, Vlora, Himara dhe Lezha, përqendrojnë rreth 57.8% të fondit limit të shpallur nga të gjitha bashkitë gjatë kësaj periudhe.
Por shifra që tërheq më shumë vëmendjen lidhet me tenderat e shënuar me indikatorë risku.
Nga 1,877 tendera të njësive vendore të publikuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik dhe të analizuar nga Open Procurement Albania, 556 prej tyre janë kategorizuar me të paktën një “Red Flag”.
Kjo përkthehet në 29.6% të të gjitha procedurave të analizuara. Me fjalë të tjera, pothuajse një në çdo tre tendera ka të paktën një tregues risku.
Brahaj thekson se situata bëhet edhe më domethënëse nëse nuk shihet vetëm numri i tenderave, por edhe vlera e tyre financiare.
“Ky indikator përkeqësohet nëse masim peshën e vlerës së tenderimit markuar me Red Flag”, shkruan ajo në reagimin e saj.
Një “Red Flag” nuk do të thotë automatikisht se një tender është i paligjshëm apo se ka pasur korrupsion. Bëhet fjalë për indikatorë që sinjalizojnë një nivel të caktuar risku dhe që mund të kërkojnë verifikim të mëtejshëm.
Por, në këtë panoramë, Tirana mbetet bashkia që ka shpallur fondin limit më të madh, ndërsa numri dhe pesha financiare e tenderave me indikatorë risku mbetet një element që kërkon vëmendje dhe transparencë më të madhe.



