KreuAktualitetKronikëVideo-Skandali i Sarandës/ Vendimi i prishjes mbetet në letër, objekti vijon të...

Video-Skandali i Sarandës/ Vendimi i prishjes mbetet në letër, objekti vijon të qëndrojë

Një denoncim i fortë i avokatit Arbn Llangozi në rrjetet sociale ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si institucionet shtetërore kanë vepruar përballë një ndërtimi pa leje në Sarandë.

Sipas avokatit, më 14 korrik 2026 në vendngjarje kanë mbërritur punonjës të IMT-së së Bashkisë Sarandë, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, me qëllim ekzekutimin e një vendimi për prishjen e objektit pranë subjektit “Klensi” sh.p.k.

Por, pavarësisht pranisë së institucioneve dhe ekzistencës së një vendimi për prishje, objekti nuk është shembur dhe vijon të qëndrojë në këmbë.

Llangozi pretendon se rasti ngre pikëpyetje jo vetëm për ndërtimin pa leje, por edhe për mënyrën se si institucionet kanë vepruar gjatë tentativës për ekzekutimin e vendimit.

“Në një shtet ligjor, një vendim administrativ për prishjen e një ndërtimi pa leje duhet të zbatohet. Në Sarandë ndodhi e kundërta. Institucionet shtetërore u paraqitën në vendngjarje me qëllim ekzekutimin e vendimit pranë subjektit shkelës Klensi shpk, por në fund objekti mbeti në këmbë, ndërsa askush nuk u procedua për ndërtimin pa leje, askush nuk u shoqërua për pengimin e ekzekutimit dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për dështimin e shtetit në zbatimin e ligjit”, shkruan avokati.

Sipas tij, pamjet filmike të datës 14 korrik tregojnë praninë e IMT-së së Bashkisë Sarandë, Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake gjatë operacionit për ekzekutimin e vendimit.

Objekti, sipas pretendimeve të bëra nga avokati, ishte konstatuar si ndërtim pa leje. Po ashtu, ai pretendon se subjekti kishte ndryshuar destinacionin e katit përdhes, nga garazh në banesë, me qëllim përfitimi ekonomik.

Megjithatë, ajo që Llangozi e konsideron më shqetësuese është mënyra se si është administruar situata në terren.

Procesverbali dhe pretendimet për të miturin

Në reagimin e tij, avokati ndalet edhe te procesverbali i hartuar gjatë ndërhyrjes. Sipas tij, në dokument është pasqyruar se në banesë ndodhej një i mitur me probleme të shëndetit mendor dhe kjo rrethanë është përdorur për të justifikuar moszbatimin e vendimit të prishjes.

Por Llangozi ngre pretendime të tjera duke iu referuar pamjeve filmike.

Sipas tij, hyrja në banesë është bërë me urdhër të drejtuesit të IMT Sarandë, Fatjon Veliu, i cili, sipas avokatit, ka udhëzuar punonjësit të futen në banesë për të dokumentuar situatën me fotografi.

Këto pretendime, sipas Llangozi, kërkojnë verifikim të plotë nga institucionet përgjegjëse, veçanërisht për të sqaruar se çfarë ka ndodhur realisht gjatë ndërhyrjes dhe përse vendimi i prishjes nuk është ekzekutuar.

“Policia ishte aty, por askush nuk u procedua”

Një tjetër pikë e fortë e denoncimit lidhet me praninë e Policisë së Shtetit.

Avokati pretendon se efektivët e policisë kishin detyrimin të garantonin rendin dhe mbështetjen për zbatimin e vendimit, por nuk rezulton që ndonjë person të jetë shoqëruar apo proceduar për pengimin e ekzekutimit.

“Skandali është edhe më i rëndë pasi në vendngjarje ndodheshin edhe punonjës të Policisë së Shtetit. Ata kishin detyrimin të garantonin rendin dhe zbatimin e vendimit. Megjithatë, nuk rezulton të jetë shoqëruar apo proceduar asnjë person për pengimin e ekzekutimit, ndërsa objekti vazhdon të qëndrojë në këmbë”, shkruan Llangozi.

Dhe pikërisht këtu ai ngre pyetjen se si është e mundur që institucionet të kenë qenë në terren, të kenë pasur një vendim për prishje dhe megjithatë të largohen pa e ekzekutuar atë.

“Pra shteti ishte aty, e pa çfarë po ndodhte, kishte vendimin në dorë, kishte policinë në terren, kishte inspektoratin dhe përsëri vendimi nuk u zbatua”, thekson ai.

“Pse nuk ka procedim penal për ndërtimin pa leje?”

Llangozi ngre pikëpyetje edhe për faktin që, sipas tij, nuk rezulton një referim penal për ndërtimin e paligjshëm.

Ai përmend nenin 199/a të Kodit Penal dhe pretendon se, në rastet e ndërtimit pa leje për qëllime fitimi, ligji parashikon dënim me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

“As IMT Bashkia Sarandë, as IKMT dhe as Policia e Shtetit nuk rezulton të kenë referuar penalisht ndërtimin pa leje, ndonëse për ndërtimin e paligjshëm të kryer për qëllime fitimi neni 199/a parashikon dënim nga 3 deri në 8 vjet burgim”, shkruan avokati.

Në vijim, ai ngre një pyetje të drejtpërdrejtë mbi arsyen se përse nuk ka pasur një procedim penal.

“Institucionet e gjetën objektin, shkuan për ta prishur, por procedimi penal mungon, rastësi, neglizhencë apo favorizim?”

Këto janë pretendime të bëra nga avokati dhe kërkojnë verifikim nga organet kompetente.

Pikëpyetje edhe për AMP dhe IKMT

Në reagimin e tij, Llangozi kritikon edhe mungesën e një reagimi publik nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas tij, duke qenë se në rast ekzistojnë pamje filmike, procesverbale zyrtare dhe pretendime konkrete për mosveprim të punonjësve të Policisë së Shtetit, do të duhej të kishte një verifikim të pavarur.

“Edhe heshtja e AMP ngre pikëpyetje. Në një ngjarje ku ekzistojnë pamje filmike, procesverbale zyrtare dhe pretendime konkrete për mosveprim të punonjësve të Policisë së Shtetit, minimumi që pritej ishte një verifikim i plotë dhe i pavarur”, shkruan ai.

Avokati kërkon që të sqarohet edhe përse Policia e Shtetit nuk ka referuar ndërtimin pa leje dhe nëse ka pasur përgjegjësi të efektivëve të pranishëm në vendngjarje.

Në shënjestër të kritikave është edhe IKMT-ja

Llangozi e konsideron të pakuptueshme që një institucion që zhvillon aksione kundër ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme të vendit, në rastin konkret të mos ketë ndërhyrë për të përfunduar ekzekutimin e vendimit.

“Në këtë rast ekziston një vendim prishjeje i paekzekutuar, ekziston një objekt informal që vijon të qëndrojë në këmbë dhe ekzistojnë pretendime serioze mbi mënyrën se si është penguar zbatimi i vendimit. Megjithatë, deri më sot nuk rezulton një ndërhyrje që ta çojë ekzekutimin deri në fund”, shkruan avokati.

“Paaftësi institucionale apo favorizim?”

Në fund të reagimit, Llangozi e çon çështjen te pyetja më e fortë: nëse bëhet fjalë thjesht për paaftësi institucionale apo nëse pas veprimeve dhe mosveprimeve mund të ketë një favorizim të subjektit ndërtues.

“Këtu lind pyetja që askush nuk po e thotë: a kemi të bëjmë thjesht me paaftësi institucionale, apo me një zinxhir veprimesh dhe mosveprimesh që kanë prodhuar në mënyrë konkrete favorizimin me qëllime korruptive të subjektit ndërtues?”

Sipas tij, faktet që duhen sqaruar janë të thjeshta: vendimi nuk është ekzekutuar, objekti nuk është prishur dhe subjekti vazhdon të përfitojë nga situata ekzistuese.

“Sepse rezultati është i thjeshtë. Vendimi nuk është ekzekutuar. Objekti nuk është prishur. Subjekti vazhdon të përfitojë nga gjendja ekzistuese. Ndërsa institucionet që duhej të zbatonin ligjin vazhdojnë t’ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës”, thekson Llangozi.

Ai e mbyll reagimin me një mesazh të fortë për funksionimin e institucioneve.

“Kur shteti shkon me inspektorë, polici dhe vendim prishjeje dhe kthehet pa prishur asgjë, problemi nuk është më vetëm te një ndërtesë. Problemi është te vetë funksionimi i shtetit.”

Pretendimet e ngritura nga avokati kërkojnë një reagim dhe verifikim nga institucionet e përmendura, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, arsyen e moszbatimit të vendimit dhe nëse ka pasur përgjegjësi administrative apo penale nga personat e përfshirë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat