KreuAktualitetPolitikaNga “Bashkëqeverisja” te “Pasqyrë Albania”/ Si do të gjurmohen ankesat e qytetarëve

Nga “Bashkëqeverisja” te “Pasqyrë Albania”/ Si do të gjurmohen ankesat e qytetarëve

Qeveria po përgatit një platformë të re komunikimi me qytetarët, e cila synon të bashkojë në një hapësirë të vetme kontaktin me institucionet dhe ndjekjen e kërkesave apo shqetësimeve të tyre.

Kryeministri Edi Rama e bëri të ditur nismën gjatë vizitës në Pogradec, duke e cilësuar “Pasqyrë Albania” si një hap drejt një sistemi ku çdo kërkesë e qytetarit mund të ndiqet në kohë reale, nga momenti i paraqitjes deri në marrjen e një përgjigjeje.

Sipas Ramës, ideja është që kërkesa e qytetarit të funksionojë si një “pako postare”, statusi i së cilës mund të gjurmohet gjatë gjithë procesit. Në të njëjtën kohë, institucionet do të kenë mundësi të monitorojnë përgjegjësitë e tyre dhe respektimin e afateve.

Platforma e re pritet të jetë një modernizim i sistemit aktual të “Bashkëqeverisjes” dhe do të ketë dy seksione kryesore.

I pari do të jetë “Flamingo Mirror”, ku do të mblidhen sinjalizime, problematika dhe shqetësime të përditshme të qytetarëve.

Seksioni tjetër, “Radar”, do të shërbejë për grumbullimin dhe ndjekjen e këtyre shqetësimeve. Sipas konceptit të prezantuar, problematikat do të duhet të gjurmohen brenda 48 orëve, ndërsa zgjidhja e tyre synohet të realizohet brenda një afati deri në dy javë.

Nisma synon të rrisë transparencën në marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve, duke i dhënë qytetarit mundësinë të dijë se ku ndodhet kërkesa e tij dhe cili institucion është përgjegjës për trajtimin e saj.

Nëse do të funksionojë sipas objektivave të deklaruara, “Pasqyrë Albania” pritet të ndryshojë mënyrën se si qytetarët komunikojnë me administratën dhe se si monitorohet përgjegjësia e institucioneve.

Zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të jenë një nga testet kryesore për këtë mekanizëm të ri, jo vetëm për funksionimin e tij teknik, por edhe për mënyrën se si do të perceptohet nga qytetarët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat