Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur rritjen e pagës referuese për sistemin e prokurorisë.
Vendimi u miratua me 11 vota pro dhe asnjë kundër. Sipas KLP-së, paga referuese do të jetë 222.425 lekë, ndërsa kësaj shume i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit. Në total, baza mbi të cilën do të bëhet përllogaritja e pagës arrin në 236.425 lekë.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, vendimi i KLP-së prek anëtarët e Këshillit, pasi paga e tyre përllogaritet mbi bazën e pagës së prokurorit. Megjithatë, Këshilli i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të zbatojë të njëjtën pagë referuese edhe për prokurorët.
Në praktikë, KLP ka përcaktuar nivelin e pagës referuese dhe nga Prokuroria e Përgjithshme pritet tashmë formalizimi i vendimit.
Anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, e argumentoi vendimin me situatën e krijuar pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi një normë ligjore që lidhej me mënyrën e përcaktimit të pagave.
Sipas Mërkurit, Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit një afat për të plotësuar boshllëkun ligjor, por ky proces nuk është përfunduar.
“GJK ka vendosur shfuqizimin e një norme. Efekti ishte me afat, duke i dhënë kohë Kuvendit për të plotësuar boshllëkun. Në mbledhjen Këshilli i Legjislacionit i Kuvendit ta kalonte qeverisë. Qeveria nuk ka pranuar”, deklaroi Mërkuri gjatë mbledhjes.
Ai tha se, në kushtet e krijuara, nuk ka më një bazë të qartë ligjore për përcaktimin e pagës dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet.
“Në këtë moment nuk ka më bazë ligjore për pagën në Shqipëri. Legjislacioni nuk ecën duke lejuar absurde. Doktrina thotë se në këto raste mosveprimi të ligjvënësit mbulohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh anëtari i KLP-së.
Mërkuri theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim, ndërsa shtoi se përcaktimi i pagës referuese ishte i nevojshëm për të garantuar funksionimin e sistemit.
“Jemi të detyruar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mbajtur sistemin në këmbë, pasi paga është baza e funksionimit”, tha ai.
Sipas relacionit të përgatitur për KLP-në, paga referuese është marrë duke iu referuar pagës në Kryeministri për kategorinë drejtor i përgjithshëm, ndërsa në formulimin e mëparshëm bëhej fjalë për pozicionin e drejtorit të kabinetit, i cili sot nuk ekziston më.



