KreuDrejtësiaProkurori i Përgjithshëm “përplas” KLP-në/ Futet në ngërç gara për zëvendësimin e...

Prokurori i Përgjithshëm “përplas” KLP-në/ Futet në ngërç gara për zëvendësimin e Olsian Çelës

Zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm po përballet me vonesa, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende nuk ka nisur procedurat për shqyrtimin e pesë kandidatëve që janë në garë për drejtimin e organit të akuzës.

Sipas afatit të përcaktuar, brenda javës së parë të dhjetorit duhet të ketë një emër të ri në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Por deri tani, KLP nuk ka përfunduar as fazat fillestare të procesit, ndërsa një prej kandidatëve ka kërkuar edhe përjashtimin e një anëtari të Këshillit për konflikt interesi.

Bëhet fjalë për kandidatin Ylli Pjetërnikaj, i cili më 30 korrik i ka kërkuar KLP-së përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga shqyrtimi i procedurës, me argumentin se ekziston konflikt interesi. Kërkesa ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli.

Çështja ishte përfshirë në rendin e ditës të mbledhjes së sotme, por kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, njoftoi se Pjetërnikaj kishte paraqitur një material shtesë. Kjo bëri që disa prej anëtarëve të kërkonin shtyrjen e shqyrtimit.

Propozimi solli përplasje mes anëtarëve të KLP-së. Sokol Stojani dhe Erind Mërkuri kërkuan që kërkesa të shqyrtohej menjëherë, ndërsa Zeqir Hoda dhe anëtarë të tjerë kërkuan që diskutimi të shtyhej për të hënën.

“Kërkesa është paraqitur që më datë 30 dhe ne ende nuk e kemi shqyrtuar. ILDKPKI nuk i janë dërguar ende materialet dhe 5 dhjetori vjen shumë shpejt”, deklaroi anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri.

Ndërsa anëtarja Ledina Riza kërkoi që fillimisht të bëhej verifikimi i dokumentacionit dhe më pas materialet të dërgoheshin në ILDKPKI.

“Të bëjmë verifikimin dhe të çojmë në ILDKPKI të gjithë ata që plotësojnë dokumentet”, tha Riza.

Nga ana tjetër, Sokol Stojani kundërshtoi shtyrjen dhe paralajmëroi për pasojat që mund të ketë zvarritja e procesit.

“Kujdes, do të hapim një precedent. Është një proces shumë i rëndësishëm dhe çdo shtyrje ndikon në afate. Unë them që është e tepërt”, tha Stojani.

Sipas tij, kërkesa e Pjetërnikajt duhet të shqyrtohet dhe Këshilli duhet të vendosë nëse ajo është në përputhje me ligjin.

Pas debatit, mbledhja u ndërpre dhe diskutimi për kërkesën u shty për në orën 15:30.

Pesë kandidatët në garë

KLP konfirmoi më 4 gusht pesë kandidaturat zyrtare për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit shtatëvjeçar të Olsian Çelës.

Në garë janë Adnan Xholi, Arta Marku,Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj.

Pas verifikimit të kritereve dhe dokumentacionit të kandidatëve, KLP duhet të rendisë tre më të kualifikuarit. Kjo listë i dërgohet më pas Kuvendit, i cili ka 30 ditë kohë për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm me shumicë të cilësuar prej 3/5 të të gjithë deputetëve.

Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kryeprokurorin brenda këtij afati, kandidati i renditur i pari nga KLP shpallet automatikisht i emëruar në këtë detyrë.

Ndërkohë, vonesat në nisjen e procedurave dhe debati për konfliktin e interesit rrezikojnë të shkurtojnë më tej kohën në dispozicion të KLP-së për të përfunduar procesin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat