Një përplasje e pazakontë institucionale ka shpërthyer për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pak ditë. pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën të aplikojnë një pagë të re referuese për magjistratët. Në qendër të konfliktit është një pyetje që tashmë ka dalë nga zyrat e institucioneve.
Kush ka të drejtë të përcaktojë pagën e gjyqtarëve dhe prokurorëve kur Kuvendi nuk e ka miratuar ende formulën e re?
Debati nisi pas vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata shfuqizoi pjesë të ligjit që përcaktonte formulën e pagës së magjistratëve dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet e nevojshme. Kushtetuesja kërkoi gjithashtu që ndryshimet të merrnin parasysh edhe efektet financiare që nga 1 prilli 2023.
Në thelb, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se formula e përdorur kishte sjellë një “ulje të fshehtë” të pagës së magjistratëve, duke e lënë atë të pandryshuar ndërkohë që ekonomia, çmimet dhe pagat në sektorin publik kishin ndryshuar. Sipas Kushtetueses, paga e gjyqtarit është e mbrojtur nga neni 138 i Kushtetutës dhe nuk mund të ulet jashtë rasteve të parashikuara prej saj.
Kuvendi nuk e mbylli formulën brenda afatit
Afati i 31 korrikut kaloi pa hyrë në fuqi një formulë e re e miratuar nga Kuvendi. Në këtë pikë, KLGJ dhe KLP morën një tjetër qëndrim. Në vend që të prisnin ndryshimin ligjor, vendosën të aplikojnë standardin e ri të pagesës duke u mbështetur te vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
KLGJ, me vendimin nr. 435, datë 26 gusht 2026, përcaktoi një pagë referuese bazë prej 222.425 lekësh, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Mbi këtë shumë aplikohet edhe shtesa prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit, duke e çuar bazën e llogaritjes në 236.425 lekë. Vendimi parashikon gjithashtu kompensimin e rritjes së munguar për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
KLP ndoqi të njëjtën linjë. Në vendimin nr. 144, datë 28 gusht 2026, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi pagën referuese bazë për anëtarët e KLP-së dhe magjistratët/prokurorët e sistemit të prokurorisë, duke iu referuar pikërisht vendimit nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese.
Pra, nga 1 gushti, KLGJ dhe KLP konsiderojnë se duhet të zbatohet paga e re referuese.
Por, Ministria e Financave thotë se formula e re nuk është ende në fuqi.
Ministria e Financave “frenon” magjistratët
Ministria e Financave, përmes ministrit Petrit Malaj, ka mbajtur qëndrim të kundërt me KLGJ-në dhe KLP-në. Sipas Financave, listëpagesat e gushtit janë paraqitur duke përdorur një metodologji që nuk është aktualisht në fuqi.
Ministria u ka kërkuar KLGJ-së dhe KLP-së që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e gushtit të ridërgohen sipas metodologjisë së përdorur deri në korrik, me argumentin se ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi.
Ministria argumenton se nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në funksionin e tij ligjvënës dhe se nuk mund të përcaktojë përmes procedurave të ekzekutimit buxhetor një formulë të re page.
Kjo ka sjellë edhe ngërçin e pagesave të muajit gusht. Raportimet e fundit flasin për mos-ekzekutimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas listëpagesave të reja. Ministria e Financave, megjithatë, nuk e pranon termin “bllokim”, duke argumentuar se problemi qëndron te mënyra e përgatitjes së listëpagesave dhe se pagesat mund të procedohen sipas metodologjisë në fuqi.
KLGJ nuk është tërhiqet
Në një shkresë të 3 shtatorit drejtuar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, me dijeni edhe të Ministrisë së Drejtësisë, KLGJ kërkoi ekzekutimin e pagave të gushtit.
Qëndrimi i KLGJ-së është se listëpagesat janë hartuar dhe dorëzuar në përputhje me legjislacionin dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Këshillit, mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret si arsye për të pezulluar efektet e një vendimi të Kushtetueses.
KLGJ e vendos çështjen në një plan më të gjerë. Sipas saj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe detyrues dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta relativizojë apo ta pezullojë zbatimin e tij përmes procedurave administrative.
Kështu, konflikti nuk është më thjesht për një rrogë më të lartë apo më të ulët. Në lojë ka hyrë edhe kufiri i kompetencave mes pushteteve.
Sa janë në lojë (me shifra)?
Diferenca e pagës referuese është e konsiderueshme. Nga 156.800 lekë, baza kalon në 222.425 lekë, pra një rritje prej 65.625 lekësh në pagën referuese. Me shtesën prej 14 mijë lekësh për kualifikimin, baza shkon në 236.425 lekë.
Por kjo nuk do të thotë se çdo gjyqtar apo prokuror do të marrë në dorë pikërisht këtë shumë. Paga referuese është baza mbi të cilën llogariten pagat sipas funksionit, nivelit dhe elementëve të tjerë të parashikuar në sistemin e trajtimit financiar të magjistratëve.
Për më tepër, vendimi i Kushtetueses ka hapur edhe një faturë për periudhën e kaluar. Gjykata ka kërkuar që ligji i ri të parashikojë efektet financiare nga 1 prilli 2023 dhe një skemë të arsyeshme për pagesat e prapambetura.
Ku hyn Ministria e Drejtësisë?
Ministria e Drejtësisë është pjesë e kësaj historie për shkak të boshllëkut ligjor të krijuar pas vendimit të Kushtetueses, por konflikti aktual për ekzekutimin e pagave është përqendruar kryesisht mes KLGJ-së, KLP-së dhe Ministrisë së Financave.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka argumentuar se vendimi i Kushtetueses është detyrues, por se pas shfuqizimit të formulës ekziston një boshllëk ligjor që duhet të plotësohet nga Parlamenti. Sipas tij, zgjidhja duhet të vijë përmes procesit parlamentar dhe jo përmes një përplasjeje institucionale.
Pra, KLGJ dhe KLP thonë se po zbatojnë një vendim detyrues të Kushtetueses dhe Ministria e Financave thotë se nuk mund të ekzekutojë një formulë që ende nuk është miratuar me ligj.
Çështja tashmë ka kaluar nga diskutimi juridik në një problem konkret financiar.
Nga njëra anë janë gjyqtarët dhe prokurorët që kërkojnë zbatimin e vendimit të Kushtetueses dhe pagesën sipas formulës së re. Nga ana tjetër është Ministria e Financave që këmbëngul se përpara se të ndryshojë mënyra e pagesës duhet të ekzistojë baza e re ligjore dhe buxhetore.
Në mes ndodhet Kuvendi, të cilit Kushtetuesja i kishte caktuar afatin 31 korrik për të miratuar ndryshimet.
Pyeta që institucionet nuk i kanë dhënë përgjigje është: Nëse Kuvendi nuk e miratoi formulën brenda afatit, a mund ta zbatojnë KLGJ dhe KLP vetë standardin e përcaktuar nga Kushtetuesja, apo duhet të presin ndërhyrjen e ligjvënësit?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk do të përcaktonte vetëm se sa do të paguhen gjyqtarët dhe prokurorët në muajt e ardhshëm. Por, ajo mund të përcaktojë edhe se ku përfundon kompetenca e një institucioni dhe ku fillon ajo e tjetrit.
E Vërteta.al
“Paraja publike nuk është e qeverisë”/ Gogu reagon për pagat e reja të magjistratëve
Pagat e magjistratëve nuk ekzekutohen/ Rebelohen njerëzit e drejtësise
Pagat e gjyqtarëve në pikëpyetje/ Kushtetuesja e kalon topin kalon në fushën e Kuvendit



