KreuDrejtësiaRritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve/ Heshtet vendimi i Kushtetueses, rebelohen...

Rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve/ Heshtet vendimi i Kushtetueses, rebelohen magjistratët

Pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe mungesës së ndërhyrjes nga Kuvendi, vendimi që rregullon mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve duhet të zbatohet menjëherë. Ky është qëndrimi i shprehur në një deklaratë të përbashkët nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Organizatat kujtojnë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15 të 17 shkurtit 2026, pranoi kërkesën e paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve, të mbështetur edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, duke arritur në përfundimin se ndryshimet e bëra në vitin 2023 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve cenonin pavarësinë financiare të magjistratëve, pasi sillnin një ulje të tërthortë të pagave të tyre.

Sipas deklaratës, Gjykata i kishte lënë Kuvendit kohë deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore që do ta përshtatnin skemën e pagave me standardet kushtetuese. Megjithatë, ky afat kaloi pa u ndërmarrë hapat e nevojshëm.

Përfaqësuesit e magjistratëve theksojnë se vetë vendimi i Gjykatës kishte parashikuar zgjidhjen në rast të mosveprimit të Kuvendit. Si rrjedhojë, nga data 1 gusht 2026 pagat duhet të llogariten sipas formulës që bazohet te paga e funksionarit të administratës së lartë publike, në përputhje me vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese.

Në të njëjtën kohë, sipas shoqatave, kjo mënyrë përllogaritjeje duhet të zbatohet edhe për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026, çka nënkupton edhe llogaritjen e diferencave përkatëse të pagave, ashtu siç parashikon vendimi nr. 15/2026.

Në fund të deklaratës, tre organizatat bëjnë të ditur se do të ndjekin nga afër zbatimin e vendimit dhe u kërkojnë institucioneve përgjegjëse të përmbushin detyrimin kushtetues për ekzekutimin e tij.

Çështja lidhet me ndryshimet e miratuara në vitin 2023 në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Gjykata Kushtetuese i rrëzoi këto dispozita në shkurt të vitit 2026, duke i dhënë Kuvendit afat për hartimin e një formule të re të pagave. Me përfundimin e këtij afati pa ndërhyrje ligjore, sipas shoqatave të magjistratëve, formula e përcaktuar nga vetë Gjykata ka hyrë automatikisht në fuqi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat