Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga magjistratët ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe 14 drejtuesve të Thesarit në rrethe, lidhur me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Rama e ka cilësuar përplasjen e krijuar për pagat në drejtësi si një “histori bajate”, ndërsa ka deklaruar se ndryshimi i pagave mund të bëhet vetëm përmes një vendimi të Kuvendit.
Sipas kryeministrit, ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me të dhe me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, përpara se të firmoste urdhrin që lidhet me bllokimin e pagave.
“Ka vetëm një mangësi. Mungon emri im dhe ai i ministrit të Drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë”, shkruan Rama.
Kryeministri kundërshton kështu pretendimin se pagat mund të ndryshohen përmes procedurave të Thesarit, duke këmbëngulur se vendimmarrja i takon Kuvendit.
Rama thotë gjithashtu se qëndrimi i tij për këtë çështje nuk ndryshon dhe se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pasi gjyqtarë dhe prokurorë kanë depozituar kallëzim në SPAK për moszbatimin e rritjes së pagave, duke kërkuar hetimin e personave që, sipas tyre, kanë marrë, përcjellë apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë moslikuidimin e pagave.



